Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë se çmon më shumë përfundimin në vend të dytë në Premier League se sa triumfin në FA Cup apo Carabao Cup.
Liverpooli tashmë ka siguruar titullin e Premier Leagues, ndërsa City ndonëse ka ngadhënjyer në Carabao Cup dhe është në garë për FA Cup, prioritet për skenën vendore e ka të përfundoj në vend të dytë në kampionat.
“Kjo organizatë kërkon të fitojë tituj, kështu që natyrisht se nuk është satisfaksion i përkryer. Por është njohje se rivali ynë ishte i jashtëzakonshëm në këtë garë dhe ne nuk ishim në atë nivel”, ka thënë Guardiola në Sky Sports.
“Ne nuk mund të mohojmë se vendi i dytë është më mirë se triumfi në FA Cup, Carabao Cup apo në të tjerat. Të gjitha klubet luftojnë për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Ne nuk kemi qenë më të mirët, një tjetër skuadër ishte, por ne ishim më të mirë se 18 klubet tjera. Ky është synimi për këtë edicion”, ka shtuar tekniku spanjoll.
Skuadrat e Premier Leagues e kanë të drejtën e pesë zëvendësimeve pas rifillimit të edicionit, ndërsa në bankë mund të qëndrojnë nëntë lojtarë.
Ky ndryshim i përkohshëm i rregullave është bërë për të ndihmuar skuadrat që të përballojnë ndeshjet pas periudhës së shkurtër të stërvitjeve. Ndryshimi mund të mbetet në fuqi edhe për edicionin e ardhshëm. Guardiola e përkrah këtë.
“I ka ndihmuar të gjitha ekipet, pasi të gjitha kanë pasur kohë të shkurtër për përgatitje, dy apo tri javë. Kjo nuk është e mjaftueshme kur luajmë çdo dy apo tri ditë. Në 20 apo 30 minutat e fundit të ndeshjes, kur ke mungesë të përgatitjes, ju vuani dhe ato zëvendësime shtesë ndihmojnë shumë. Ndoshta për vitin tjetër, nëse ndodhë kjo, do të ishte mirë. Ju mund të udhëtoni me jo vetëm 18 lojtarë, por me 20. Do të ishte gjë e mirë për shëndetin dhe për disponimin e skuadrës. Secili ndihet i përfshirë dhe pjesë e ekipit. Si trajner mund të bëjmë më shumë ndryshime dhe kjo është gjë e mirë”, ka theksuar Guardiola.
-
11 korrik 2020 12:15
-
Shpërndaje në: