Sport

Futbollisti 50 vjeçar, ende aktiv në nivelin profesionist

Futbolli modern vazhdon të ketë cakun kryesor prodhimin e talentëve të rinj, me yje që lindin derisa ende janë në adoleshencën e tyre.

Kjo filozofi ka siguruar që parametrat e asaj që përbën “statusin e veteranit” të jenë frenuar seriozisht. Ditëve të sotme, një lojtar që është në të 30-tat hyn në atë grup, shkruan Goal.

Një njeri që mishëron nofkën veteran, megjithatë, është Kazuyoshi Miura, transmeton Koha.net. Sulmuesi i Yokohama FC ende është i fortë në moshën 50 vjeçare.

Ai feston sot ditëlindjen, dhe nuk ka treguar shenja të lodhjes përkundër arritjes gjysmëshekullore.

Çfarë ishit duke bërë më 1986? Ndoshta as nuk keni qenë të lindur? Miura po debutonte në futbollin profesionist, duke lënë Japoninë në kërkim të njohjes në sport në Brazil.

Santosi i kishte dhënë atij debutimin, dhe që nga atëherë ai ka luajtur në Itali, Kroaci, Australi dhe Japoni.

Ai ishte fituesi i parë i çmimit “Lojtari Aziatik i Vitit”, të cilin e kishte marr më 1993, ndërsa ka bërë 89 paraqitje për kombëtaren japoneze për të cilën shënoi 55 gola. Miura u pensionua nga kombëtarja në vitin 2000.

Dhe 17 vjet më vonë, njeriu i njohur si Kazu, ende është aktiv në futbollin profesionist me kontratën e re të nënshkruar në janar. Tani është duke u përgatitur për sezonin në Divizionin e Dytë në Japoni dhe do të udhëheq Yokohaman.

Për të krahasuar me lojtarët e tjerë që ishin aktiv edhe në moshë të vjetër, John Burridge është më i vjetri që ka luajtur në Premier Ligë me 43 vjet e 163 ditë.

Top tetë performuesit më të vjetër në elitën e futbollit anglez janë portierët, me Teddy Sheringham që udhëheq listën me 40 vjet e 272 ditë.

Roger Milla ishte pjesë e Kamerunit në Kupën e Botës më 1994 në moshën 42 vjeçare, por ende është larg Miura.

Ai është vërtetë një talent unik dhe një shembull se si mosha nuk duhet të jetë barrierë në atë që është bërë lojë e burrave të rinj.