Sport

Trepça ’89 dhe FC Prishtina mësojnë datat për debutimin në Evropë

Triumfi i Besës në Kupë, i ka dhënë mundësinë FC Prishtinës, të sigurojë garën evropiane të Europa Leagues, përmes rundit të parë të kualifikimeve.

Prishtina fituese e Kupës së Kosovës dhe Trepça ’89 kampione, do të debutojnë në garat evropiane, natyrisht nëse licencohen nga UEFA-ja, por edhe nëse bëhet gati Stadiumi “Adem Jashari”, transmeton KTV.

Ekipet e Kosovës, kundërshtarët do t’i mësojnë më 19 qershor, në shortin që do të hidhet në Nyon të Zvicrës, ndërsa garat nisin në fund të qershorit.

Kështu Trepça ’89, në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 27 apo 28 qershor, ndërsa atë të kthimit një javë më pas.

FC Prishtina në Europa League, do të zhvillojë ndeshjen e parë më 29 qershor, ndërsa atë të kthimit më 6 korrik.