Sport

Polonia po përshtatet me realitetin e ri të futbollit

Pyetësorët mjekësorë të përditshëm, kontrollet e shpeshta të temperaturës, testet javore, maska ​​për fytyrën në teshatore dhe dushet vetëm në shtëpi. Për të mos i përmendur, përpjekjet se si të festohen golat.

I tillë është realiteti për futbollistët në ligat që janë kthyer pas ndërprerjes shkaku i koronavirusit. Polonia ishte ndër vendet e para evropiane që filloi të luante përsëri, pasi liga elitë e vendit u kthye fundjavën e kaluar, shkruan AFP.

Ndeshjet tani zhvillohen pa shikues dhe përshtatja ndaj kësaj mënyre të re të jetës është sfida me të cilën përballet Tom Hateley. Djali i ish-sulmuesit të Milanit, Monacos, Glasgow Rangers dhe Përfaqësueses së Anglisë, Mark Hateley, luan për ekipin Piast Gliwice, që rifilloi mbrojtjen e titullit të kampionatit polak të futbollit “Ekstraklasa”, me një fitore të thellë prej 4-0 ndaj Wisla Krakowit.

Pas gjithë kësaj kohe pa futboll, skuadra e Piastit ishte në epërsi të dyfishtë pas 11-të minutave lojë, por pasi e kishte parë se si festoheshin golat në Bundesliga duke e respektuar distancimin shoqëror, Hateley duhej të kontrollonte veten sa herë që topi kalonte vijën e golit, transmeton KOHA.

"Nuk e kisha idenë se çfarë të bëja. Thjesht ia prekëm dorën njëri-tjetrit", qeshet Hateley. "E pashë në Gjermani, ndeshjen e parë të Dortmundit se si festonin lojtarët, duke qëndruar nga dy metra larg. Por ne menduam ndryshe, duke ia ofruar dorën njëri-tjetrit".

Tregimi i Hateleyt është një kujtesë e vështirësive, madje edhe në një vend si Polonia që ka vuajtur relativisht pak në pandemi, me pak më shumë se një mijë vdekje për një popullsi prej 38 milion banorësh.

"Në Poloni është dashur të vendosni maskën tërë kohën, deri kur u ndaluan në këtë javë. Këtu kanë filluar të hapen dyqanet dhe kufizimet janë lehtësuar", thotë futbollisti 30-vjeçar. "Sa i përket ligës Ekstraklasa, 50 njerëz nga secili klub duhej të shkonin në izolim për dy javë para se dikush të lejohej të stërvitej. Ne e kemi matur temperaturën në mëngjes dhe gjatë natës dhe më pas na është dashur të plotësojmë një pyetësor çdo natë për mjekun, të cilin ende po e bëjmë edhe tani".

Përgatitjet individuale filluan në fillim të muajit maj dhe ekipet më pas kaluan në kampe stërvitore për tri javë që të përgatiten për rifillimin e garave. Lojtarët u nënshtrohen testeve të gjakut një herë në javë për të kontrolluar antitrupat e virusit.