Sport

Berisha s’largohet nga Atalanta

Etrit Berisha do të sakrifikojë edhe diçka nga pretendimet ekonomike vetëm për të qëndruar në Bergamo, te skuadra ku kontribuoi për rikthimin në kupat europiane.

Portieri i kombëtares shqiptare të futbollit që në fundin e sezonit ka qenë temë aktuale në ekipin e Serisë A, mori një konfirmim direkt nga drejtori teknik i Atalantës, Xhovani Artori.

“Etriti ishte protagonist i një sezoni shumë të mirë dhe ne jemi të kënaqur me paraqitjet e tij, ashtu siç mendojmë se është dhe vetë portieri. Tek Atalanta luajti për një kampionat të tërë dhe arritëm në vendin e katërt, por ende nuk kemi folur me Lazion për Berishën. E kemi lënë për javën e ardhshme pasi sezoni ka pak që ka përfunduar" tha drejtori i Atalantës për Berishën.

Lazio kërkoi fillimisht 7 milionë euro për portierin, ashtu siç kishte specifikuar në klauzolë, por me këtë çmim Atalanta nuk ka blerë kurrë një portier në histori, transmeton tch.

Duket se ekipi verior i uli shpejt pretendimet dhe mund të kënaqet edhe me 4 milionë për t’u privuar nga një rezervë luksi si Berisha. Synimi i portierit kosovar për të qëndruar tek Atalanta u konfirmua dhe nga agjenti i lojtarit.