Sport

Tebas paralajmëron lojtarët e Servillas që thyen rregullat

Kreu i La Ligas, Javier Tebas, ka thënë se futbollistët duhet të veprojnë me përgjegjësi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, pasi katër lojtarë të Sevillas kanë thyer rregullat e qeverisë për mbajtje të distancës sociale.

Treshja argjentinasi Ever Banega, Lucas Ocampos dhe Franco Vazquez, si dhe sulmuesi holandez Luuk de Jong, janë fotografuar duke festuar përkrah tetë personave tjerë gjatë fundjavës.

Spanja ka zbutur një prej masave kufizuese më strikte në Evropë, pasi ka filluar të ulet rasti i të infektuarve me koronavirus dhe numri i të vdekurve. Ndonëse ende është e ndaluar tubimi i më tepër se dhjetë personave.

Fotografia është postuar në Instagram nga bashkëshortja e Banegas.

“Lojtarët janë një shembull për shoqërinë dhe duhet të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre. Unë i bëjë thirrje të gjithë futbollistëve të mos veprojnë në mënyrë të tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm pasi bëhet fjalë për punën e shumë njerëzve. Siguria është e garantuar në fushën stërvitore dhe nëpër ndeshje, por jam i shqetësuar për vendet tjera dhe festat e tilla. Duhet të gjithë të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Tebas për “Movistar”.

Lojtarët e Sevillas kanë kërkuar falje për sjelljen, nëpërmjet një komunikate që është postuar nga klubi Sevilla në Twitter. Sevilla nuk ka thënë nëse lojtarët do të ndëshkohen.

Futbolli në Spanjë është pezulluar që nga 12 marsi për shkak të pandemisë COVID-19, ndonëse të shtunën Qeveria e Spanjës ka dhënë leje që dy rangjet elitare të rifillojnë nga 8 qershori.

Derbi i qytetit mes Sevillas dhe Real Betisit, mund të jetë ndeshja me të cilën do të rifillojë La Liga muajin e ardhshëm. Tebas ka thënë se shpreson që kjo ndeshje të luhet më 11 qershor.

“Unë shpresoj që data të mund të konfirmohet dhe do të donim që ndeshja e parë të jetë derbi i Sevillas dhe të rifillojë në ora 22:00”,ka thënë Tebas.