Sport

FFK-ja do t’i japë fund sezonit nëse nuk krijohen kushtet të vazhdojë para 1 qershorit

Ministria e Shëndetësisë (MSH) e ka bërë edhe njëherë të qartë qëndrimin e saj, se hapja selektive e aktiviteteve sportive është e paraparë në fazën e tretë të hapjes graduale, fazë që nis më 1 qershor. Por, është sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, që thotë se do të detyrohen t’i japin fund sezonit të pezulluar shkaku i koronavirusit më 13 mars, nëse nuk lejohet vazhdimi i aktiviteteve të futbollit gjatë këtij muaji.

Në përgjigjen me shkrim që ka marrë “KOHA” nga Ministria e Shëndetësisë, thuhet se hapja selektive e aktiviteteve sportive do të vendoset sipas rregullave të vendosura në protokollin epidemiologjik.

“Hapja selektive e aktiviteteve sportive është paraparë në fazën e tretë të hapjes graduale dhe nis më 1 qershor. Kjo hapje do të bëhet konform rregullave të vendosura në protokollin epidemiologjik dhe në bazë të situatës epidemiologjike”, thuhet në përgjigjen e MSH-së dhënë KOHËS.

Por, sekretari Salihu insiston se nëse do të detyrohen t’i japin fund sezonit nëse nuk rikthehen gjatë këtij muaji.

“Nëse mbetet masa deri më 1 qershor, duhet ta përfundojmë sezonin dhe pastaj të shohim, si dhe në çfarë forme do të vendosë UEFA”, është shprehur Salihu.

Salihu: Dorëzuam material shtesë në MKRS, çdo vonesë na kushton

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) u ka dhënë federatave nacionale afat deri më datën 25 maj për të njoftuar për planet e tyre rreth rifillimit të kampionateve vendore, që duhet të përfundojnë deri më 20 korrik. Në Superligën e Kosovës janë zhvilluar dy fazat e para, derisa kanë mbetur edhe 11 xhirot e fazës së fundit. Janë edhe ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Në gjysmëfinale janë Prishtina – Drenica dhe Ballkani – Feronikeli. Në fakt, FFK-ja po kërkon që ekipeve t’u lejohet stërvitja në grupe që nga java e ardhshme, e më pas të rifillojnë edhe me gara nga 24 maji. Por, në përgjigjen e MSH-së nuk tregojnë se cilat aktivitete sportive mund të zhvillohen pas 1 qershorit.

“Rivlerësimi do të bëhet gjatë fazës së dytë dhe të tretë të hapjes, dhe varësisht nga situata epidemiologjike, do të specifikohen edhe aktivitetet që mund të zhvillohen”, thuhet tutje në përgjigjen e MSH-së.

Sekretari i FFK-së, Salihu, ka theksuar se të enjten ka dërguar edhe disa shkresa dhe materiale në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS). Kërkojmë që sa më shpejt institucionet vendimmarrëse të dalin me ndonjë vendim përfundimtar, meqë duhet të koordinojnë planet për të ardhmen e futbollit me Konfederatën Evropiane të Futbollit (UEFA).

“Edhe disa shkresa dhe materiale i dorëzuam në MKRS, pasi deri më 25 maj kemi afat ta njoftojmë UEFA-n me një vendim të prerë, të vazhdojmë ose jo. Çdo vonesë na kushton. Këta nuk po e kuptojnë seriozitetin, data 1 qershor është e pamjaftueshme, sepse klubet duhet të përgatiten të paktën dhjetë ditë. Jemi që shëndeti të jetë primar, por të paktën të dihen datat e sakta se kur munden ekipet të stërviten dhe kur mund të zhvillohen ndeshjet”, është shprehur Salihu.

Por, mikrobiologu Lul Raka, në “Interaktiv” të KTV-së, të martën mbrëma, ka thënë se aktivitetet sportive nuk duhet të nisin para datës 1 qershor. Ai ka shtuar se vendimmarrës në këtë kohë pandemie janë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Më 1 qershor nuk mund të hyhet direkt në lojë, sepse mund të ketë pasoja të mëdha. Prandaj, nuk guxojnë pa leje të Ministrisë së Shëndetësisë t’i rifillojnë garat”, ka thënë Raka.

Raka ka shtuar se më të rrezikuarit për t’u infektuar në mushkëri me koronavirus janë sportistët. Ai ka theksuar se Kosova nuk ka kushte që në këtë fazë t’i rifillojë aktivitetet.

IKSHP-ja thotë se në Kosovë vazhdon të ketë rrezik të përhapjes së COVID-19

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për mosrelaksim dhe qëndrim në shtëpi, pasi thotë se në Kosovë, pavarësisht se ka rënë numri i të infektuarve, vazhdon të ketë rrezik të përhapjes së koronavirusit.

IKSHP-ja e bëri këtë thirrje, pasi këto ditë në qytete të ndryshme kosovare, e edhe në kryeqytet është parë numër i madh i qytetarëve duke lëvizur.