Sport

FFK-ja pret vendim të shpejtë nga MSH-ja dhe IKSHP-ja për vazhdim të sezonit

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i është drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike me kërkesën për lejimin e vazhdimit të aktiviteteve të futbollit gjatë këtij muaji. Por, ka shtuar se vendimi për rifillimin e aktiviteteve u takon atyre – MSH-së dhe IKSHP-së. Prej këtyre dy institucioneve, FFK-ja ka kërkuar që ta shqyrtojnë edhe një herë mundësinë që futbollit t’i japin dritën e gjelbër për t’u rikthyer në aktivitete më herët sesa është planifikuar me masat e reja lehtësuese. FFK-ja, po kërkon që ekipeve t’u lejohet stërvitja në grupe që nga java e ardhshme – 10 maj, e më pas të rifillojnë edhe me gara. Më 24 maj të luhen ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, kurse më 30 maj të rifillohet me ndeshjet e mbetura të këtij edicioni.

“Kjo, sipas presidentit Agim Ademi, është mundësia e vetme që garat të rifillojnë dhe të përfundojnë në afatin e paraparë nga UEFA, institucion me të cilin drejtuesit e FFK-së janë në kontakte të vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e FFK-së, pas takimit që patën të martën me trajnerët dhe stafin mjekësor të ekipeve përfaqësuese. “Stafi mjekësor i Kombëtares gjatë ditëve të ardhshme do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në mënyrë që të krijohet një protokoll se si të veprohet për çdo ndeshje dhe për masat që do të ndërmerren në rast të rifillimit të garave, e që më pas do t’u jepen udhëzimet e nevojshme stafeve mjekësore të klubeve”.

Në fakt, Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë njoftuar se për aktivitetet sportive masat lehtësuese do të bëhen në fazën e tretë, fazë që nis të zbatohet më 1 qershor. Por, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka ritheksuar se rifillimi i aktiviteteve sportive në qershor do të ishte vonë si për klubet ashtu dhe vetë sportistët.

“E kemi dërguar shkresën edhe në MSH, pasi ditë më parë të ngjashme e kemi dërguar edhe në MKRS për rifillimin e stërvitjeve dhe pastaj garave. Gjithashtu, kemi kërkuar sërish një takim me MSH-në, për t’i marrë së bashku masat për të rifilluar me kohë, ashtu qysh e kemi planifikuar për shkak se më vonë nuk do të mund t’i përfundonim në afatin e caktuar”, ka thënë Salihu për gazetën.

Federata nuk ua ndalon e as nuk i sugjeron klubet të dalin në stërvitje

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) preferon që të vazhdohen garat për të përfunduar stinori aktual në fushë. Madje, federatave evropiane të futbollit, në mesin e tyre edhe të Kosovës, UEFA u ka dhënë afat deri më datën 25 maj për të njoftuar për planet e tyre rreth rifillimit të kampionateve vendore. Edhe FFK-ja është e vendosur ta çojë deri në fund edicionin e pezulluar muajin e shkuar shkaku i përhapjes së pandemisë COVID-19.

Aktivitetet sportive në vend janë pezulluar nga 13 marsi, kur edhe u paraqitën rastet e para të personave të infektuar me koronavirus. UEFA tashmë e ka caktuar 19-20 korrikun si datë të fundit për përfundimin e kampionateve në Evropë, përfshirë këtu edhe Superligën e Kosovës në futboll. Në FFK po synojnë përfundimin e rregullt të kampionatit. Por, nuk përjashtohet mundësia që kampionati të përfundojë edhe me plejof apo edhe anulim të kampionatit, nëse nuk rifillojnë gjatë këtij muaji me ndeshjet e Kupës dhe kampionatit.