Sport

Fortuna Sittard, ekipi që po i jep nxitje karrierës së lojtarëve të rinj

“Ardhja këtu, pa dyshim se është gjëja më e mirë që e kam bërë në karrierë”, tha Geroge Cox.

Mbrojtësi i krahut të majtë i Brightonit ishte duke e shijuar një sezon të mrekullueshëm te Fortuna Sittardi në huazim, para se edicioni të pezullohet për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Coxi ishte vetëm njëri nga shumë lojtarët që kishte përfituar nga rasti për t’u zhvilluar edhe më shumë në Eredivisie.

Fortuna Sittard është e hapur në lidhje me politikën e tyre të transferimeve: marrin talentet e reja dhe u japin atyre mundësinë për të luajtur ndeshje futbolli në elitën e Holandës. Qëllimi është të ndërtojnë lojtarët, të cilët pastaj i shesin për të përfituar para, transmeton KOHA shkrimin e The Guardian.

Futbollistët e huazuar, si Coxi, kanë një klauzolë që i lejon klubit t'i nënshkruajë ata në mënyrë të përhershme dhe një shans për të dëshmuar se mund t’ia dalin mbanë si profesionist. Në fillim të sezonit, Coxi mund të kishte rënë në divizione të ulëta në Angli ose të transferohej në Holandë.

"Për zhvillimin tim, kam mësuar shumë gjatë këtij viti. League Two në Angli nganjëherë nuk është vendimi më i mirë për të luajtur dhe iu preferoj lojtarëve që të provojnë diçka të re, duke shkuar jashtë vendit. Mund të them se kjo pa dyshim është gjëja më e mirë që mund t’iu ndodhë”, ka insistuar Coxi.

Coxi ishte i huazuar edicionin e shkuar te Northamptoni në League Two, por aty ishte i limituar në vetëm pesë paraqitje. Ndërkohë te Fortuna, këtë edicion, Coxi ka regjistruar 21 ndeshje, duke u bërë njëri prej lojtarëve kryesorë në ekipin e trajnerit, Sjors Ultee. Në fakt, është ndihmësi i Fortunas, Kevin Hofland, ish-reprezentuesi i Holandës, që është marrë me mbrojtësin anglez pasi si lojtar aktiv ka luajtur në të njëjtën pozitë.

“Standardi është masiv; Ajaxi është nivel i lartë dhe mbi ekipet e tjera”, shpjegon Cox. "Kam luajtur kundër Ajaxit në ndeshjen time të tretë dhe standardi ju godet menjëherë dhe nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë se sa të zgjuar janë. Unë po luaja kundër Quincy Promes, por ende e kisha Donny Van de Beekun dhe Dushan Tadiqin, duke hyrë në zona afër meje dhe duke e bërë jetën time të vështirë. Niveli i tyre është i çmendur, jo vetëm aftësia teknike e tyre, por edhe truri i tyre se si funksionon në fushë”.

Marrëveshjet e Fortunas me ekipet e mëdha evropiane

Todd Cantwell, gjithashtu, pati një aventurë te Fortuna përpara se të kthehet te Norwich City, ku këtë edicion e ka dëshmuar veten në Premier League. Koha që Cox e kaloi në Holandë, ka bërë atë që të tërheqë vëmendjen e shumë skautëve, të cilët e kanë shikuar nga afër.

Duke pasur parasysh stilin shumë teknik të akademive më të mira të Anglisë, Coxi thotë se shumë lojtarë të ngjashëm me të që huazohen nga klubet e tyre, të insistojnë për huazimin apo transferimin në Holandë, mundësisht te Fortuna Sittardi.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.