Sport

Parisi i motivuar nga e kaluara e hidhur me Barçën

Paris Saint-Germaini do të jetë "i pajisur mirë" për betejën e radhës me Barcelonën në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, që e zhvillon të martën para adhuruesve të vet, pasi që mesfushori italian Marco Verratti është kthyer në skuadër, derisa motivimi për këso ndeshjesh, nuk mungon kurrë.

Dy vite më parë, Barcelona mposhti 3:1 Parisin në udhëtim në ndeshjen e parë çerekfinale të "Championsit", por në atë ndeshje ekipit francez i mungoi sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq, mesfushori Verratti dhe kapiteni Thiago Silva që u largua nga fusha i lënduar pas 21 minutave.

Barça fitoi 2:0 ndeshjen e kthimit për të eliminuar Parisin për herë të dytë në tri vite në Ligën e Kampionëve.

Verratti është rikthyer pas një lëndimi të pulpës dhe të premten tregoi formë të lartë në fitoren 3:0 të Parisit ndaj Bordeauxit, duke dhënë një asist për Edinson Cavanin.

"Ai është një lojtar shumë inteligjent. Unë e shoh se si luan, me dhe pa top. Është vërtet shumë i fortë. Është argëtim të luash me të", ka thënë mesfushori ofensiv gjerman i Parisit, Julian Draxler, që është transferuar te skuadra franceze në verë nga Wolfsburgu.

Sulmuesi uruguaian Cavani është në formë jetësore. Shënoi dy gola kundër Bordeauxit dhe tash ka arritur në shifrën e 25 golave në ligëm, transmeton Koha Ditore.

Në ndeshjen e së martës do të mungojnë i suspenduari Thiago Motta dhe i lënduari Javier Pastore.

Barcelona është në formë të mirë, pasi shkatërroi 6:0 Alavesin në La Liga të shtunën, por ka marrë një goditje, pasi mbrojtësi anësor Aleix Vidal, është lënduar dhe do të mungojë pesë muaj. 
Gerard Pique, që ka pushuar kundër Alavesit, është kthyer në skuadër, së bashku me Rafinhan.

Por, treshja ofensive Luis Suarez, Lionel Messi e Neymar garantojnë që Barcelona të jetë favorite në këtë ndeshje. Megjithatë, edhe te PSG-ja ka shpresa.