Sport

Lirohen nga karantina shtatë boksierët e ardhur nga Londra të izoluar në Qendrën e Studentëve

Shtatë boksierët e ardhur nga Londra para dy javësh, që u mbajtën në karantinë në Qendrën e Studentëve janë liruar gjatë së premtes.

Besim Brahimi, trajner i Kombëtares së Kosovës në boks, tha se gjatë dy javëve të qëndrimit ne konvikt kanë pasur trajtim të mirë nga ana e stafit dhe personelit mjekësore.

Ai ka treguar se të gjithë boksierët do të vetizolohen në shtëpitë e tyre, duke shtuar se do të vazhdojnë aktivitet e planifikuara.

“Tashme do të vazhdojmë vetizolimin në shtëpitë tona. Iu kam ndarë aktivitet sportive secilit sportist që t’i kryejë nga shtëpia”, ka thënë ai.

Deri më tani në Qendrën e Studentëve e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës ishte lëshuar për karantinë, janë vendosur gjithsej 230 qytetarë të kthyer në mënyrë të organizuar të cilët kishin mbetur jashtë vendit.

Fillimisht ishin kthyer 10 persona të Ekipit Kombëtar të Boksit, pastaj 40 qytetarë nga Turqia, 180 nga Gjermania dhe 55 nga Zvicra./eo/