Zv.presidenti i federatës gjermane zhgënjehet në Prishtinë

Zv.presidenti i federatës gjermane zhgënjehet në Prishtinë

14 shkurt 2017 14:16

Njëri prej 13 zv.presidentëve të Federatës Gjermane të Futbollit, Helmut Hack, ka vizituar të hënën stadiumin e qytetit të Prishtinës për të parë nga afër punët që po bëhen rreth renovimit, por është ndarë i zhgënjyer.

Hack ka thënë se Kosova do të kthehet një vit pas, nëse nuk do ta ketë gati deri në verë stadiumin, siç është paraparë me plan, shkruan sot Koha Ditore.

"Infrastruktura në Kosovë nuk mjafton për të përmbushur dëshirat e pritjet, pasi që Kosova është bërë anëtare e UEFA-s. Të them të drejtën jam i zhgënjyer dhe i frustruar pasi kam menduar se kanë ecur gjërat më shpejt. Na duhen këtu vendime të shpejta të ministrive, duhet të kenë më pak burokraci, pasi është e qartë se në verë duhet të luhen lojë në këtë stadium", ka thënë Hack, përcjell faqja zyrtare e klubit të futbollit Prishtina.

Në të vërtetë punimet në stadium vlerësohen se po shkojnë me ritëm të ngadaltë. Punimet pritet të mos kryhen me kohë, e që afat ishte gushti i këtij viti, pas përfshirjes së rekomandimeve të UEFA-s në planin fillestar.

Me përfshirjen e këtyre rekomandimeve, që prekin edhe strukturën e stadiumit, duhet leje e re nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, gjë që, sipas zyrtarëve të MKRS-së, që po mbështet financiarisht këtë projekt, duhen 2-3 muaj kohë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme