Sport

Xhaka i motivuar nga lufta për liri e babait të tij, s’do të ndërrojë stilin e lojës

Granit Xhaka ka thënë se vështirësitë që ka kaluar babai i tij për të arritur lirinë në Kosovë kanë ndikuar që të bëhet një lojtar gjithnjë e më i mirë.

Xhaka ka rrëfyer për jetën në burg të të atit, Ragip Xhaka, transmeton Koha.net.

Ragip Xhaka ishte vetëm 22 vjeçar kur e kishin futur në burg, ku i kaloi 3 vjet e gjysmë, për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata kundër partisë komuniste qendrore të Beogradit. Ai kërkonte demokraci dhe liri në një kohë konflikti dhe konfuzioni, ai pagoi çmim të lartë për ngritjen e zërit në atë që besonte.

“Është e vërtetë që babai im ishte burgosur për tre vite e gjysmë, dhe kjo për shkak se ai u ngrit për atë që besonte”, kishte dekluar Xhaka për Blick. “Kjo nuk është një temë tabu në familje, flasim për këtë. Në fund të fundit unë dua të di se çfarë ka ndodhur”.

Xhaka ka duruar një fushatë të paparashikueshme në sezonin e tij me Arsenalin, ku është kritikuar në vazhdimësi dhe performancat e tij janë analizuar në detaje, dhe shumë sugjerojnë se paratë për të janë shpenzuar kot, shkruan Daily Cannon.

Më tutje kjo e përditshme shkruan se kjo nuk është aq e vërtetë, pasi sipas saj 24 vjeçari ka qenë një nga performuesit me vazhdimësinë më të mirë, dhe më të qëndrueshme tek Arsenali, në një fushatë tjetër të harruar.

Xhaka është kritikuar për lojën e tij të ashpër, që shpesh i ka kushtuar me karton të kuq, dy në këtë sezon.

Por, përkundër kësaj ai ka thënë se nuk do të ndryshojë stilin e tij të lojës, ndërsa ka theksuar se do të jetë i ndershëm.

“Jam i sinqertë, i drejtpërdrejtë. Nuk më pëlqen të shtirem, dhe nuk do të ndryshojë gjithashtu. Ajo që më nervozon më së shumti është kur njerëzit më thërrasin të pistë, budalla, dhe i pamend. Këto lloj fjalësh nuk mund t’i përdorësh për dikë që nuk e njeh”, ka thënë Xhaka.

Ai më tutje ka shtuar se, “agresiviteti është pjesë e lojës time dhe kur dikush e largon atë nga unë, atëherë unë nuk jam i njëjti më. Kam analizuar kartonët e mi të kuq në detaje dhe gjithashtu e kam parë se shumë faulle i kam shkaktuar në gjysmën e fushës së kundërshtarit, që është shumë larg nga goli ynë. Këtë duhet ta ndali”.