Sport

Interi synon Kumbullën si zëvendësues të Godinit

Interi mund të vendosë ta lë të lirë Diego Godinin në fund të sezonit, dhe atë ta zëvendësojë me mbrojtësin shqiptar, Marsh Kumbulla, raportojnë mediat italiane.

Godini iu bashkua Interit në verën e kaluar si transfer i lirë nga Atletico Madridi, megjithatë raportohet se ai nuk ka arritur të adaptohet në Milano, dhe dëshiron rikthimin në Spanjë, transmeton KOHA.

Ai ka pasur rotacione nga trajneri Antonio Conte, dhe pavarësisht se ka luajtur rregullisht në ndeshjet e Kupës, ai këtë sezon ka vetëm 12 paraqitje si titullar.

Il Corriere dello Sport raporton se Kumbulla shihet si zgjidhje ideale nga Interi për të forcuar vijën e fundit.

Mbrojtësi shqiptar ka qenë në një formë të jashtëzakonshme te Verona, dhe ishte shumë afër kalimit te Napoli në afatin kalimtar të janarit.

Për 20 vjeçarin raportohet se Interi është i gatshëm të paguajë 20 milionë euro.