Sport

Fotografia e 210 medaljeve

Top-sportistet e vendit, xhudistet e mjeshtrit Driton Kuka, kanë bërë një fotografi të përbashkët gjatë kampit olimpik në Nymburk të Çekisë.

Ndër vite ato kanë ofruar momente të shumta gëzimi e krenarie për vendin.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu, Flaka Loxha, Erza Muminoviq e Fationa Kasapi kanë fituar krejt çka mund të fitohet në sport. Falë tyre Kosova ka medalje të artë olimpike, medalje nga kampionatet botërore, nga kampionatet evropiane dhe nga të gjitha garat tjera të mundshme.

Vajzat në foto kanë fituar saktësisht 210 medalje. Bëhet fjalë për medalje të vërteta, të fituara në garat më të mëdha zyrtare e jo në turne të pakonfirmuar e me vlera të dyshimta.

Edhe shumë medalje e suksese priten prej vajzave në foto por edhe prej xhudistëve tjerë kosovarë. Prioritet për këtë vit paraqet Olimpiada që në verë mbahet në Tokio të Japonisë.

Më poshtë paraqesim bilancin e secilës prej tyre.

Majlinda Kelmendi

Majlinda ka sukseset dukshëm më të mëdha prej këtij ekipi elitar. Ajo ka fituar të artën në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, dy tituj të botës për seniore, një medalje të bronztë, katër tituj të Evropës e një medalje të bronztë evropiane. 28-vjeçarja ka edhe shumë e shumë suksese tjera. Por ka plane të mëdha edhe për të ardhmen.

“Jam në rrugë të mirë për të pasur sukses në Lojërat Olimpike”, ka thënë Majlinda Kelmendi për Koha.net.

Sipas sajtit “judoinside.com”, Majlinda gjatë karrierës, në të gjitha kategoritë, ka 44 medalje të arta, nëntë medalje të argjendta dhe 11 medalje të bronzta. Janë evidentuar medaljet në Lojëra Olimpike, kampionate botërore, kampionate evropiane, turnetë Masters, Grand Slam e Grand Prix, Kupat Botërore dhe “European Open”, botërorët dhe evropianët e juniorëve, kupat evropiane për seniorë, juniorë e kadetë si dhe turnetë ndërkombëtarë.

Bilanci i përgjithshëm i Majlindës: 64 medalje

Image

Nora Gjakova

Suksese të mëdha ka edhe Nora Gjakova (27). Nora ka fituar medalje të artë evropiane, një medalje të argjendtë evropiane e tri të bronzta. Ka shumë medalje në garat e turit botëror të xhudos (Masters, Grand Slam, Grand Prix) e po ashtu në gara tjera me rëndësi, duke përfshirë edhe ato të kategorive të reja.

Sipas “judoinside.com”, që është baza më e madhe e të dhënave për xhudo, Nora ka 16 medalje të arta, ndërsa nuk i është evidentuar një në Lojërat Mesdhetare, që bëjnë 17 të arta. Ka edhe nëntë medalje të argjendta e 15 të bronzta.

“Çdo gjë po ec mirë këtë vit. Medaljet që kam fituar deri më tani më kanë motivuar shumë. Kam kohë të mjaftueshme deri në Lojërat Olimpike për t’i bërë përmirësimet që synoj”, ka thënë Nora Gjakova për Koha.net.

Bilanci i përgjithshëm i Norës: 41 medalje

Image

Distria Krasniqi

Medalja e bronztë botërore mbetet suksesi më i madh për 24-vjeçaren. Por nuk pritet të jetë edhe shumë gjatë. Distria ka synime për më shumë. Synon, ndër të tjera, edhe medalje olimpike e edhe më shumë medalje në kampionate botërore e evropiane. Vazhdimisht po dëshmon që është top-xhudiste botërore.

Pos medaljes së bronztë botërore, Distria ka edhe medalje të argjendtë evropiane.

Sipas “judoinside.com”, Distria ka 20 medalje të arta, me atë në Lojërat Mesdhetare, 21. Ka edhe dhjetë medalje të argjendta dhe 16 të bronzta.

Bilanci i përgjithshëm i Distrisë: 47 medalje

 

Image

Loriana Kuka

Viti 2019 ishte i jashtëzakonshëm për Loriana Kukën. Ajo befasoi të gjithë, edhe veten, duke fituar medalje të bronztë në Botërorin për seniorë. Medalje bronzi fitoj edhe në Evropian, përkatësisht në Lojërat Evropiane. Ndonëse xhudistet në Lojëra Evropiane morën nga dy medalje për të njëjtën garë, këtu i kemi llogaritur vetëm nga një. Loriana ka lënë Zvicrën për të bërë karrierë në Kosovë. Për Kosovën ka fituar shumicën e medaljeve, por në “judoinside.com” i janë evidentuar edhe sukseset sa ishte garuese e Zvicrës. Pa llogaritur kampionatet nacionale të Zvicrës, Loriana ka nëntë medalje të arta, shtatë të argjendta dhe shtatë të bronzta.

Bilanci i përgjithshëm i Lorianës: 23 medalje

Image

Laura Fazliu

Laura Fazliu (19) vjet fitoi medalje të bronztë botërore dhe evropiane në grupmoshën e juniorëve. Ajo vlerësohet se ka potencial për karrierë të madhe edhe te senioret. Tashmë ka bërë hapat e parë si seniore.

E bronzta në botëror dhe ajo në Evropian janë sukseset më të mëdha në karrierën e deritashme të Laurës.

Në përgjithësi ajo ka tri medalje të arta, një të argjendtë dhe pesë të bronzta. Këtu natyrisht nuk janë llogaritur garat e mbajtura në vend dhe disa turne regjional. Me to numri i medaljeve do të ishte shumë më i madh për Laurën, por edhe për të tjerat.

Bilanci i përgjithshëm i Laurës: 9 medalje

Image

Flaka Loxha

Flaka Loxha (20), fitoi vjet një medalje të bronztë evropiane për juniore. Vlerësohet se ka potencial për më shumë.

Ka pesë medalje të arta, dy të argjendta e tri të bronzta. Njëra prej këtyre të bronztave është suksesi më i madh i saj.

Bilanci i përgjithshëm i Flakës: 10 medalje

Image

Erza Muminoviq

Ende 17-vjeçare, Erza ka arritur suksese në moshë fare të re. Më pas është future në një krizë rezultatesh, por ngadalë po e kthen formën. Ajo sukseset më të mëdha i ka në grupmoshën e kadeteve. Ka titull të Evropës e po ashtu medalje të bronztë në Olimpiadën për të Rinj. Ka gjashtë medalje të arta për të rinj, katër të argjendta dhe katër të bronzta.

Bilanci i përgjithshëm i Erzës: 14 medalje

Image

Fationa Kasapi

Fationa Kasapi po bënë punë të madhe për të shpërthyer në skenën serioze ndërkombëtare. Po punon me ekipin olimpik të Kosovës në xhudo, me disa prej më të mirave në botë. Po ashtu po merr këshilla nga Driton Kuka, një prej trajnerëve më të vlerësuar në sportin e xhudos. Ajo tashmë ka dy medalje të argjendta, një në Kupë Evropiane për kadete dhe një në kampionat ballkanik.

Bilanci i përgjithshëm i Fationës: 2 medalje

Image