Sport

Gjiganti italian kërkon Muriqin

Klubi i njohur italian Lazio po insiston për transferimin e yllit të Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, njofton “Corriere dello Sport” të enjten, transmeton Koha.net.

Lazio e sheh Muriqin si opsion në rast se dështon në transferimin e sulmuesit francez Olivier Giroud nga Chelsea. Giroud ka kontratë me Chelsean deri në verë të këtij viti. Lazio kishte tentuar të transferonte Giroudin edhe në janar.

Muriqi është duke u kërkuar nga klube të shumta në ligat më të forta evropiane. Ai ka kontratë me Fenerbahçen deri në qershor të vitit 2023. Sipas “Corriere dello Sport” transferimi i tij do t’i kushtonte Lazios së paku 20 milionë euro. 

Muriqi ka realizuar 15 gola dhe asistuar gjashtë tjerë në 26 ndeshje në të gjitha garat.