Sport

Stinori në Serie A rrezikon të mos përfundohet

Stinori në Serie A rrezikon të mos përfundohet nëse më tepër ndeshje shtyhen për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Kështu ka vlerësuar të dielën shefi ekzekutiv i Interit, Giuseppe Marotta, shkruan “Gazzetta dello Sport”, transmeton Koha.net.

Ndeshja mes Juventusit e Interit, që ishte paraparë të luhej sonte, ka qenë një nga pesë ndeshjet që është shtyrë në Serie A këtë fundjavë. Ndeshjet, të gjitha në rajonet ku ngjarjet sportive janë ndaluar nga qeveria shkaku i koronavirusit, ishte paraparë të luheshin pa shikues.

Italia ka regjistruar më tepër se 1100 raste të infektuarve me koronavirus, që kur rastet e para dolën në këtë vend më 20 shkurt dhe kanë humbur jetën 29 persona.

Ndeshja e Interit me Sampdorian javën e kaluar, po ashtu ishte shtyrë. Marotta ka thënë se orari i ngarkuar nënkupton se do të ketë mungesë të datave për të riorganizuar ndeshjet e shtyra.

“Nëse shtyhen më tepër ndeshje, atëherë sigurt është në rrezik që të mos përfundohet kampionati”, ka thënë Marotta.

Ai ka shtuar, se pasi që disa nga ndeshjet janë shtyrë dhe të tjerat jo, balanci në kampionat është prishur.

“Është një turne i çrregulluar. Vetëm duhet të mendoni për lëndimet e suspendimet. E aty është edhe aspekti psikologjik kur shikon renditjen”, ka deklaruar Marotta.

Me dy ndeshje të shtyra Interi ka mbetur tetë pikë prapa liderit Lazios, që ka dy ndeshje më tepër të zhvilluara.

“Jam i shqetësuar edhe për ndeshjen e të dielës së ardhshme kundër Sassuolos. Nuk mund të luajmë atë ndeshje pa shikues, pasi do të ishte absurde të përdorim këtë masë një javë pasi nuk e kishim përdorur atë. Nuk mund të shoh një zgjidhje”, ka thënë Marotta.