Sport

Mbappe tregon për përvojën e tij me Chelsean e Realin

Kylian Mbappe ka zbuluar se si Zinedine Zidane personalisht e kishte takuar atë në aeroport pasi u ftua të stërviste me ekipin e të rinjve të Real Madridit kur ishte në moshën 14-vjeçare.

Reprezentuesi i Francës, që është bërë futbollisti i dytë më i shtrenjtë në histori kur iu bashkua Paris Saint-Germainit nga Monaco për 180 milionë euro në vitin 2018, po ashtu kishte udhëtuar në Londër dhe kishte stërvitur me Chelsean.

Në një kolumne që Mbappe ka shkruar për “The Player’s Tribune”, ai ka shpjeguar përvojën që pati me dy gjigantët.

“Kur isha 11-vjeçar, pata mundësinë të shkoja në Londër për disa ditë për të stërvitur me ekipin e të rinjve të Chelseat. Isha shumë i emocionuar dhe i shokuar sa që nuk doja t’i tregoja shokëve të mi se ku po shkoja. Kur u ktheva në shtëpi, shokët e mi më panë dhe më pyetën, ‘Kylian, ku ishe javën e kaluar?’ Unë u tregova se isha në Londër me Chelseat. Ata nuk po besonin, por unë iu betova se takova edhe Didier Drogba. Më thonin, ‘Po gënjen. Droga nuk takohet me fëmijë nga Bondy. Nuk është e mundur!’” – ka treguar Mbappe.

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane nuk e ka fshehur admirimin e tij për Mbappen. Në mediumet është raportuar se Real Madridi po bënë gati një ofertë rekorde për të transferuar 21-vjeçarin.

Mirëpo, Mbappe ka treguar se ishte te Real Madridi më herët dhe se vet Zidane e kishte marrë atë në aeroport për ta dërguar në stërvitje të Realit.

“Pak para ditëlindjes sime të 14-të, mora një befasi të jashtëzakonshme. Babai im mori një telefonatë nga një person nga Real Madridi. Mora ftesë për të shkuar në Spanjë për një seancë stërvitore. Ishte shokuese, pasi në fakt i thanë babait tim, ‘Zidane dëshiron të shoh birin tënd.’ Në atë kohë, Zidane ishte drejtor sportiv. Sigurisht se isha shumë i lumtur. Isha shumë i vendosur të shkoja. Por, nuk ishte e thjeshtë, pasi vëzhguesit po vinin në ndeshjet e klubit tim AS Bondy dhe kisha vëmendje edhe nga mediat. Kur je 13-vjeçar, nuk di si të përballosh gjithë bujën. Kishte shumë presion dhe familja ime dëshironte të më mbronte. Isha në javën e ditëlindjes sime të 14-të. Ajo që nuk e dija ishte se prindërit e mi po organizonin çdo gjë me klubin në mënyrë që të më dërgonin në Madrid si dhuratë. Ishte befasi për mua”, ka treguar Mbappe. “Besoni apo jo, ne nuk i treguam ndonjë personi se ku po shkojmë. Nuk i tregova as shokëve më të ngushtë, pasi isha tepër nervoz”.

Mbappe iu bashkua të rinjve të Monacos në verën e vitit 2013. Ai te Monaco impresionoi dhe iu bashkua Realit në verën e vitit 2018 për 180 milionë euro.