Sport

Dumoshi takon xhudistët: Na pret Tokio, më të fortë se kurrë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim kryetarin e Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka, përzgjedhësin e Kosovës në xhudo Driton Kuka si dhe xhudistët që kanë fituar normën olimpike për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Dumoshi fillimisht ka uruar Distria Krasniqin për medaljen e artë dhe Nora Gjakovën për medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që u mbajt më 8 e 9 shkurt në Paris të Francës.

Po ashtu ajo u shpreh e lumtur për punën dhe suksesin që po e tregojnë xhudistët në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

“Vajzat dhe djemtë tanë po na bëjnë krenarë me punën luftarake të tyre, në lojërat të ndryshme ndërkombëtare dhe ky suksese nuk do të ishte po të mos kishin mbështetjen dhe përkushtimin tuaj si trajner”, tha Dumoshi, duke theksuar faktin se me sukseset e arritura, xhudistët e Kosovës po i bëjnë nder vendit dhe po e promovojnë e forcojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Unë si ministre mbetem e përkushtuar që të jem gjithmonë mbështetëse e fuqishme e sportit. Duke pasur parasysh që këtë vit i kemi edhe Lojërat Olimpike, është e rëndësisë së veçantë që vendi ynë do të përfaqësohet sa më suksesshëm me garuesit e saj në Tokyo të Japonisë duke e dëshmuar edhe njëherë që kemi talente në sport”, u shpreh tutje ministrja duke u zotuar se MKRS-ja do të mbështesë sportistët për faktin se po i sjellin vendit medalje e suksese.

Ndërkaq kryetari Agron Kuka falënderoi ministren për pritjen dhe e uroi për marrjen e detyrës. Ai kërkoi nga Dumoshi që edhe në të ardhmen të vazhdojë bashkëpunimi i MKRS-së me Federatën e Xhudos ashtu që bashkërisht të arrihen sukseset e synuara.

Ministrja e drejtuesit e xhudos diskutuan edhe për çështjen e Qendrës Kombëtare të Xhudos e cila së shpejti do të fillojë së ndërtuar në qytetin e Pejës dhe ku ministria do të japë kontributin e saj në këtë drejtim.

Dumoshi, gjithashtu, tha se shumë shpejt do t’i bëhet edhe zgjidhja e përcaktimit të lokacionit për vendosjen e shtatores së Majlinda Kelmendit, të cilën Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka sjellë në Kosovë për nder të xhudistes tonë me renome ndërkombëtare.