Sport

Nikçi: Në ndeshjet tjera të mos gabojmë si ndaj Hungarisë

Descriptive Text

Kapiteni i Kosovës në volejboll, Valon Nikçi ka deklaruar për Koha Ditore se Kosova nuk duhet të bëjë gabimet e njëjta si ndaj Hungarisë në përballjet e tjera eliminatore për Botëror.

Kosova pësoi 0-3 ndaj Hungarisë në ndeshjen e parë eliminatore për Botëror, e cila u zhvillua në Tallin të Estonisë.

Nikçi pas takimit ka thënë se, “ndeshja ka pas rëndësi të veçantë për neve pasi që ka qenë ndeshja e parë zyrtare e Përfaqësueses A, dhe ka pas peshë të madhe”.

Ai thotë se fillimi ishte i barabartë ndaj Hungarisë, por në setin e tretë Kosova pati një rënie të pashpjegueshme.

“Fillimi i ndeshjes ka qenë i barabartë, po besoj deri ka mesi i setit kur Hungaria ka bërë një shkëputje në rezultat dhe e ka fituar setin. Në setin e dytë kemi bërë lojë më të mirë dhe kemi pas mundësi edhe ta fitojmë setin, mirëpo hungarezët ishin më të koncentruar, çka rezultoi me humbje 17:25. Në setin e tretë kemi pas rënie të pashpjegueshme dhe besoj që kjo nuk ka qenë pasqyra e ekipin tonë. Shpresojmë që në ndeshjet tjera mos t’i përsërisim gabimet e njëjta”, ka thënë ai për Koha Ditore.

Kosova nesër luan ndaj Estonisë, derisa në Grupin D do të përballet edhe me Rusinë, Rumaninë dhe Malin e Zi.