Sport

Te Mercedesi të bindur se Hamiltoni do të qëndrojë më gjatë

Foto: Reuters

Kreu i skuderisë kampione të Formula 1, Mercedes, Toto Wolff, ka thënë se kampioni, britaniku Lewis Hamilton, do të qëndrojë te skuderia përtej fundit të stinorit. 

Kontrata e kampionit të gjashtëfishtë të Formula 1 , Hamilton, me Mercedesin skadon në fund të vitit 2020 dhe ai ende nuk ka marrë vendim për të ardhmen, shkruan sot Koha Ditore.

“Ne duam të kemi veturën më të shpejtë të mundshme dhe unë e di se Lewisi dëshiron të jetë në veturën më të shpejtë, kështu që qartë se ka një rezultat të përbashkët”, ka thënë Wolff. 

Wolff ka shtuar se nuk ka folur me Hamiltonin 35-vjeçar që nga fundi i vitit 2019. 

“Ne udhëtojmë nëpër botë për dhjetë muaj çdo vit, por gjatë dimrit e lëmë njëri-tjetrin në paqe dhe bisedën e fundit që e patëm ishte në festën e Krishtlindjes. Unë kam besim të madh në aftësitë e skuderisë për të joshur pilotët më të mirë dhe Lewisi ka dëshmuar se është më i miri. Dhe në plan afatmesëm e afatgjatë, unë shpresoj se do të jemi në gjendje të ofrojmë teknologjinë për garuesin më të  mirë”, ka shtuar Wolff.  

Wolff e Hamilton pritet të nisin negociatat për kontratë të re kur takohen këtë muaj. Mercedesi do të bëjë xhirot e para në Silverstone të premten, para se të nisë testimet parasezonale në Spanjë më 19 shkurt. 

Kontrata e Mercedesit për të garuar në Formula 1 po ashtu mbaron në fund të këtij viti, por Wolffi ka insistuar se skuderia është e përkushtuar për të qëndruar gjatë në Formula 1...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)