Sport

Gerrard i del në mbrojtje Kamberit

Descriptive Text

Trajneri i Rangersit në Skoci, Steven Gerrard, i ka dalë në mbrojtje sulmuesit Florian Kamberi lidhur me deklaratën e tij se ka plotësuar ëndrrën me kalim te Rangersi.

Reprezentuesi i Shqipërisë, Kamberi, është huazuar te Rangersi nga skuadra tjetër skoceze, Hibernian. Kamberi ka thënë se gjithnjë ka ëndërruar për një kalim te Rangersi, prej se luan në Skoci. Kjo deklaratë është pritur rëndë në skuadrën Hibernian, ndërsa trajneri Jack Ross ka theksuar se Kamberi ia ka vështirësuar punën vetes për të pasur raport të mirë me tifozët pasi të kthehet në verë, shkruan Koha Ditore.

Gerrard ka thënë se Kamberi ka folur me zemër.

“Nuk mund të kontrolloj lojtarët se çka thonë. Vetëm mund të këshilloj ata. I këshilloj që të kenë respekt në fushë dhe jashtë saj. Por Flo ka folur nga zemra. Gjithsesi të gjithë lojtarët duhet të jenë të respektueshëm”, ka thënë Gerrard për “The Scottish Sun”.

Vetë Kamberi ka thënë se nuk ka dashur të shfaqë mungesë respekti. “

Jam ambicioz, jam i ri dhe dua të bëjë hapin tjetër. Dua të shkoj te një klub më i madh dhe këtë e kam bërë me huazim. Por asnjëherë nuk kam shfaqur mungesë respekti”, ka thënë Kamberi.

Te Rangersi deri pak javë më parë ishte Eros Grezda, që dështoi të zërë vend në ekipin e parë dhe u kthye në Kroaci.