Sport

“Sporti Total”, prej Kuvendit të FFK-së deri te personalitetet e shquara

Edhe këtë të diel, “Sporti Total” në Kohavision vjen me shumë materiale të veçanta nga sporti vendor edhe ndërkombëtar. Pjesa e parë do t'i kushtohet Kuvendit Zgjedhor të Federatës së futbollit të Kosovës, ku u zgjodhën anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv.

Në Kuvend pati tensione e akuza të delegatëve të disa klubeve të Superligës, në drejtim të krerëve të Federatës së futbollit, e ku pjesa më e madhe e klubeve po kërcënojnë me bojkot të kampionatit. Në intervistën e javës, si zakonisht, paraqiten personalitete të shquara të sportit kosovar, me të cilët diskutojmë për tema aktuale.

Do të sjellim kronikë nga paraqitja e Kombëtares së Kosovës në futsall, e cila po merr pjesë në fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Evropian, që po mbahet në Gjeorgji. Të dielën do të mund të njiheni me katër futbollistët e Feronikelit, të cilët iu bashkuan kampionit të Kosovës, duke u larguar nga klubet evropiane në të cilat ishin. Ata zbulojnë personin që i shtyu të zgjedhin Feronikelin.

Do të shpalosen edhe raportet nga përgatitjet e fundit të disa ekipeve të Superligës së Kosovës në futboll, si dhe lajmet më të reja, një javë para ndeshjeve të Kupës së Kosovës. Raportet e zgjeruara nga ndeshjet e Superligës së Kosovës në basketboll do të jenë pjesë e rëndësishme e emisionit. “Faullat e javës”, është rubrika atraktive që sjell momentet më interesante që ndodhin në arenat e sportit vendor.

Dhe si zakonisht, në fund mund t’i shihni golat nga top-ligat evropiane të futbollit, rezultatet dhe renditjen. “Sporti Totat” transmetohet direkt të dielën nga ora 22:15.