Sport

Kokaj la karrierën në futboll për t’u koncentruar plotësisht në skijim

Drin Kokaj nuk ka përfunduar me sukses garën në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj, që prej 9 deri më 22 janar u mbajtën në Lozanë të Zvicrës. Ai është diskualifikuar në sllallom të madh dhe sllallom.

Por skitari 16-vjeçar vlerëson shumë lart përvojën në ngjarjen e madhe olimpike për të rinj. Ai pret që të përfitojë shumë prej saj në karrierë, ndërsa diskualifikimin e vlerëson gjë të zakonshme, shkruan sot Koha Ditore.

Kokaj është bërë garuesi i parë i Kosovës që është paraqitur në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj. Kosova ka debutuar në Lozanë në këtë ngjarje të madhe për sportistët e rinj. Pos Kokajt, pjesë e ekipit të Kosovës ishte edhe skitarja Era Shala. Por ajo një ditë para garës debutuese theu këmbën dhe kështu mbeti pa garuar.

Kokaj debutoi më 13 janar në sllallom të madh, ndërsa u diskualifikua për shkak të gabimit në shteg, në lëshimin e parë. Më 14 janar përfundoi lëshimin e parë në sllallom. Por më pas u diskualifikua për lëshim të bërë gjatë lëshimit të parë.

“Jam i kënaqur me paraqitjen time në Olimpiadë. Vetë pjesëmarrja në Olimpiadë është sukses. Mirëpo si sportistë gjithmonë synojmë arritje më të mëdha”, ka thënë Drin Kokaj në një bisedë për gazetën. Diskualifikimin në garat debutuese e ka arsyetuar me një thënie që, sipas tij, është e skitarit të famshëm amerikan, Bode Miller.

“Diskualifikimi në garë është pjesë e skijimit, që ndodh shumë shpesh. Për shembull, në sllallom garën e përfunduan 40 garues, ndërsa 37 të tjerë janë diskualifikuar. Kjo u ndodh edhe skitarëve botërorë. Një thënie e skitarit Bode Miller është: Tri ditë rrugë bëra, tri kontinente i kalova, në portën e tretë u diskualifikova”, ka thënë skitari i ri kosovar.

Përvojë që do t’i shërbejë shumë

Diskualifikimi në skijim bëhet për huqje të portave apo për gabime gjatë kalimit pranë tyre. Kokaj nuk është i brengosur që mbeti pa rezultat në dy garat e tij në LOD për të Rinj.

“Merak më mbetet vetëm për të rrëshqitur më shumë në shtigjet ku u mbajtën garat, që ishin me akull”, thotë skitari prishtinas.

Drini tash sheh përpara dhe pret të përfitojë nga përvoja në Lozanë të Zvicrës, vend ky që shquhet për shtigje shumë të bukura të skijimit e po ashtu për sport të skijimit shumë të zhvilluar....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)