Sport

Pulev paralajmëron se me Joshuan do të përballen në Stamboll

Descriptive Text

Boksieri Kubrat Pulev ka konfirmuar në llogarinë e tij në Facebook se do të përballet me Anthony Joshuan në Stamboll në muajin maj.

38-vjeçari ka postuar një artikull në të cilin shihet se meçi do të zhvillohet në “Vodafone Arena”, stadiumin e klubit të Beshiktashit.

Palët janë duke biseduar për sfidën për titullin IBF, por “The Sun” raporton se Stambolli nuk është përmendur si vend i mundshëm për t’u organizuar meçi. Aty mësohet se është diskutuar që meçi të zhvillohet në Britani, Amerikë ose Arabi.

Kampi i Joshuas nuk ka komentuar postimin e Pulevit.

Një përballje mes dy boksierëve ishte paraparë në tetor të 2017-s, por ajo u shty për shkak se bullgari ishte lënduar dhe Joshua luftoi me Carlos Takamin.

Pulevi, i njohur si “The Cobra”, ka 28 fitore e vetëm një humbje në karrierën e tij. Në anën tjetër, Joshua ka 23 fitore e një humbje. Pas përballjes me Pulevin, Joshua është i detyruar të ballafaqohet me Oleksandr Usykun në garën për titullin WBO, më vonë gjatë vitit.