Sport

Nuhiu ka ambicie të mëdha në nismë të karrierës si trajner

Descriptive Text

Pak javë para mbarimit të edicionit të shkuar (2018/19), Drita si kampione në fuqi paralajmëroi largimin e trajnerit Shpëtim Duro, pasi humbi gjasat për të mbrojtur titullin. Me të njoftuar për largimin e Duros, Drita bëri të ditur se postin e trajnerit do t’ia besojë Ardian Nuhiut.

Deri atëherë asistent i trajnerit të parë. Dhe, Nuhiu nuk ishte një trajner i përkohshëm, por iu besua skuadra për atë pjesë të mbetur të edicionit dhe për këtë edicion që po zhvillohet, shkruan sot Koha Ditore.

Nën drejtimin e tij, ekipi nga Gjilani ka treguar formë dhe rezultate të mira gjatë pjesës së parë. Pas 17 ndeshjeve të pjesës së parë të edicionit, Drita zë vendin e tretë në tabelë me 31 pikë, një më pak se Gjilani që është i dyti dhe tri më pak se kampioni dimëror, Ballkani.

Nuhiu thotë se tash për tash është i kënaqur me punën te Drita, pasi, sipas tij, ekipi është brenda objektivave. Megjithatë, 41-vjeçari pranon se rezultatet kanë mundur të jenë më të mira.

“Derisa ekipi është brenda objektivit, patjetër se jam i kënaqur se si kemi ecur në pjesën e parë të edicionit, ndonëse kemi mundur edhe më mirë. Aksidentalisht kemi lënë ca pikë gjatë rrugës. E them aksidentalisht, sepse kemi dominuar ndeshjet, por nuk kemi arritur të marrim maksimumin”, ka thënë Nuhiu. “Asnjëherë nuk numërojmë në gjysmë të rrugës, pasi kemi edhe pjesën tjetër të edicionit ku do të mundohemi të përmirësohemi dhe të marrim më të mirën nga futbollistët”.

Nuhiu te Drita erdhi me Shpëtim Duron, një trajner që e vlerëson shumë. Ai pranon se prej profesor Duros, siç e quan ai, ka mësuar shumë gjatë kohës sa ka punuar me të. Insiston se e ka shumë mirë parasysh se çfarë përgjegjësie ka te Drita, ekip që vazhdimisht lufton dhe kërkon trofe. Për Dritën thotë se është klub i organizuar me mentalitet evropian dhe me profesionalizëm, që është baza e një pune të suksesshme.

“Te Drita erdha me profesor Duron dhe për mua ishte nder dhe privilegj të punoja përkrah një trajneri siç është ai, një njeri me shumë vlera. Përvoja e tij e madhe si trajner patjetër se më ka ndihmuar shumë”, pranon Nuhiu. “Drita është e ndërtuar të shkojë drejt suksesit dhe e di shumë mirë se çfarë kam marrë përsipër dhe çfarë kërkohet. Unë këmbëngul që ka potencial të ecet përpara, dhe para pjesës së dytë po mundohemi të marrim disa lojtarë që ta forcojmë ekipin dhe të rrisim cilësinë edhe më tepër”.

Nisi te Shkupi

Drita objektiv kryesor ka titullin dhe për këtë po punon Nuhiu si trajner, por edhe të tjerët në klub. Së fundi, janë transferuar sulmuesit Kastriot Rexha e Astrit Fazliu, të cilët ishin pjesë e skuadrës në stinorin kur u fitua titulli...(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)