Sport

Morina tregohet i matur, Munishi do vetëm fitore në derbin e Gjilanit

Descriptive Text

Derbi që mbledh më së shumti shikues në futbollin e Kosovës, ndërmjet Gjilanit dhe Dritës, po afrohet dhe kanë mbetur vetëm edhe dy që të luhet përballja, për të cilën jetojnë tifozët e të dyja klubeve, ‘Skifterat’ dhe ‘Intelektualët’.

Një fakt interesant është se skuadrat gjilanase të dielën do të drejtohen nga dy trajnerë që janë nga Prishtina.

Bëhet fjalë për Arbnor Morinën, që është në krye të Gjilanit, dhe Ismet Munishin, që e drejton për herë të parë Dritën në derbi.

Trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina, ka deklaruar për Sportin në KTV se janë përgatitur për ndeshjen e së dielës, në të cilën, sipas tij, nuk ka favorit.

Ai nuk e di ende se a do të mund të llogarisë në katër futbollistë të përbërjes së parë, Azem Ahmetin, Betim Haxhimusën, Donart Kaçiun, të cilët janë helmuar gjatë javës.

Morina, i cili ka të fituar tre derbi si trajner, një me Dritën dhe dy me Gjilanin, tregon se si përjetohet kjo përballje nga të dyja taborret.

Përderisa Morina tregohet më i matur në deklaratat e tij, trajnerin e Dritës, Ismet Munishin, nuk e kënaq asgjë tjetër përveç fitores.

Sa i përket mungesave, Taulant Haliti do të mungojë për disa muaj, për shkak të lëndimit të pësuar ndaj Besës, ndërkohë ende në dyshim mbetet Nderim Nexhepi, i cili po ashtu u lëndua në përballjen e Kupës, kundër pejanëve.

Derbin e parë të këtij sezoni e kishte fituar Gjilani, me rezultat 1:0, me golin që e kishte shënuar Ylber Kastrati në minutën e 96-të.

Derbi më i madh vendor, Gjilani – Drita, zhvillohet të dielën nga ora 13:00.


Morina tregohet i matur, Munishi do vetëm... by kohanet