Sport

Rreth 50 të rinj pjesë e turneut të veçantë për portierë në Prishtinë

Të enjten, në fushën sportive “Prishtina” në Taukbahqe, është mbajtur një turne i veçantë në futboll.

Për herë të parë në Kosovë është organizuar turneu i portierëve me emrin “Portierët e së ardhmes”, të cilin e ka organizuar trajneri i shkollës së portierëve “Hoda” nga Prishtina, Beqir Hodaj, transmeton KTV.

Rreth 50 portierë të moshës 9-17 vjeç, u paraqitën dhe garuan në pesë kategori të ndryshme: U-9, U-11, U-13, U-15, U-17.

Dueli i portierëve zgjaste dy minuta dhe ishte me sistem eliminimi.

Ai që realizonte më shumë pikë nëpërmjet golave të shënuara gjatë kohës së caktuar, kualifikohej tutje.

Nëse rezultati ishte i barabartë pas dy minutave, atëherë me short jepej një penallti për njërin prej portierëve, që mund të vazhdonte garën nëse shënonte gol.

Pikët ndryshonin prej mënyrës së shënimit të golave. Tri pikë jepeshin për golin që shënohej me dorë, dy për golin me këmbë për toke dhe një pikë për golin me goditje “volej”.

Finalja më interesante ishte në kategorinë U-13, ku fitues doli Norik Demi nga Q.S. Prishtina.

Fituesit në kategoritë tjera ishin, Jon Pushkoll U-9 nga Q.S. Prishtina, Leonardo Fazliu U-11 po ashtu nga Q. S. Prishtina dhe Leurat Tahiri U-15 i Flamurtarit e Demir Krasniqi U-17 nga Urbano.

Organizatori ka paralajmëruar se ky turne i portierëve tash e tutje do të jetë tradicional.