Sport

Bardhi beson se Maqedonia e Veriut do të kualifikohet në “Euro 2020”

Descriptive Text

Mesfushori i Levantes, Enis Bardhi, beson se këtë vit do të luajë në “Euro 2020” me Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, ka shkruar të mërkurën sajti “Ekipa.mk”.

Bardhi është një prej lojtarëve kryesorë si te Levante ashtu edhe Maqedonia e Veriut, e cila do të paraqitet në plejofin e Ligës së Kombeve që do të mbahet në muajin mars të këtij viti, transmeton Koha Ditore.

Në gjysmëfinale të plejofit, Maqedonia e Veriut do të përballet me Kosovën më 26 mars në Shkup dhe fituesi i këtij dueli në finale do të luajë kundër fituesit të duelit ndërmjet Gjeorgjisë e Bjellorusisë.

“Ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për mua, jo vetëm te Levante, por edhe te Maqedonia e Veriut. Në muajin mars na pret sfida për të siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në Evropian dhe mendoj se kjo është një mundësi e artë, të cilën duhet patjetër ta shfrytëzojmë”, është shprehur Bardhi, 24-vjeçar, i cili ka pesë gola në 27 paraqitje me Maqedoninë e Veriut.