Sport

Berisha ngjall qytetin që jeton me basketbollin

Nëpër shumë gjëra ka kaluar skuadra e basketbollit Peja që nga vera e vitit 2013. Prej atëherë klubi simbol i qytetit të Pejës ka prekur nivel të lartë, duke luajtur në Evropë. Po ashtu ka prekur nivelin më të ulët në histori, duke mbetur jashtë garave kosovare.

Për dallim nga skuadra e basketbollit, lojtari më i njohur i qytetit të basketbollit ka lëvizur njëtrajtshëm që nga atëherë. Bëhet fjalë për Dardan Berishën, që ka shënuar ngritje të vazhdueshme, shkruan sot Koha Ditore.

Në verë të vitit 2013, Berisha ishte larguar nga Peja, me shumë bujë dhe ka vazhduar të fitojë trofe me Prishtinën, por edhe në vende të tjera. Vazhdimisht ka qenë lojtari dominues në vend dhe tash ka një mision tjetër – që me Pejën të dominojë basketbollin kosovar.

Rrugët e Pejës e të Berishës janë bashkuar sërish. Peja sërish pretendon të jetë top-skuadër e kjo më së lehti është e realizueshme me Berishën në përbërje. Ky bashkim garanton edhe pasion për basketbollin në vendin që e quan veten “qytet të basketbollit”.

Se a është lëkundur pasioni për basketbollin në Pejë, do të shihet të mërkurën (sonte) prej orës 19:00, kur Peja luan ndeshje në Ligën Ballkanike. Do të jetë ndeshje debutuese për Berishën, të transferuar prapë me shumë bujë, të premten e kaluar.

Ai do të debutojë ndaj skuadrës nga Rozhaja, Ibar. Peja aktualisht ka dy fitore dhe tri humbje në BIBL, derisa në Superligën e Kosovës renditet e gjashta në tabelë me 25 pikë të tubuara, katër më pak se Sigal Prishtina që është kampione dimërore.

Berisha pranon se nuk është në formën më të mirë, por është i gatshëm për një fillim të fuqishëm me skuadrën e qytetit. Se do të pranohet ngrohtë nga tifozët thuajse nuk ka dyshime. Pritjet janë që edhe palestra të jetë e mbushur me shikues...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)