Sport

Berisha mund të bëhet lojtari tjetër i madh që del nga Salzburgu

Kosova, të paktën deri më tash, nuk ia ka dalë që të afrojë në përfaqësuese talentin e madh, Mërgim Berisha. Berisha 21-vjeçar kohë më parë ka zgjedhur Shpresat e Gjermanisë, ndërsa për të ka shpresa të mëdha se mund të bëjë karrierë të suksesshme.

Të paktën shpresa të tilla kanë te gjiganti austriak i futbollit, Red Bull Salzburg, i njohur për angazhimin e lojtarëve të talentuar në moshë të re dhe shndërrimin e tyre në yje të sportit, shkruan sot Koha Ditore.

Vetëm në afatin aktual të janarit, Salzburgu ka shitur dy lojtarë te skuadrat e mëdha evropiane. Japonezi 24-vjeçar, Takumi Minamino, që luan si mesfushor ofensiv dhe sulmues krahu, ka kaluar te Liverpooli, lideri i Premier Leagues dhe fituesi në fuqi i Ligës së Kampionëve. Liverpooli ka paguar 10 milionë euro për japonezin, aq sa parashikohej në klauzolën e tij për lirim.

Një yll edhe më i madh, norvegjezi Erling Haaland, kaloi te skuadra e njohur gjermane, Borussia Dortmund. Haalandin e kanë kërkuar skuadrat më të mëdha evropiane, por ai vendosi për Dortmundin. Rreth 20 milionë euro vlerësohet se ka kushtuar transferimi i tij te Dortmundi. Largimi i sulmuesit Haaland ka hapur vend te Red Bull Salzburgu për Mërgim Berishën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)