Sport

Arbitrat e delegatët kërcënojnë Federatën e Kosovës

Descriptive Text

Pjesa e dytë e edicionit në Superligën e Kosovës në basketboll ka gjasa të mos nisë fare, pasi arbitrat dhe delegatët kanë paralajmëruar se do t’i bojkotojnë ndeshjet si pasojë e moskryerjes së obligimeve financiare nga ana e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ndaj tyre.

Në FBK insistojnë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë, pasi gjithçka do të kryhet siç është premtuar, brenda këtij muaji. Arbitrat dhe delegatët nuk janë paguar për tre muajt e fundit dhe tashmë kanë paralajmëruar FBK-në për veprimin që mund të marrin nëse nuk shlyhen borxhet ndaj tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Në një takim të mbajtur ndërmjet Shoqatës së Gjyqtarëve (SHGJFBK) dhe drejtuesve të FBK-së, arbitrat kanë kërkuar që borxhet të shlyhen nga ana e FBK-së në total. Këtë vikend do të zhvillohen ndeshjet e fundit të pjesës vjeshtore, dhe sipas FBK-së, pjesa pranverore është e paraparë të nisë në fillim të muajit shkurt, më 11 e 12.

Në takimin mes SHGJFBK-së dhe FBK-së, arbitrat e basketbollit kanë shtruar tri kërkesa. Dy të parat, sipas tyre, janë të padiskutueshme, kurse e treta mund të diskutohet.

Në kërkesën e parë është bërë me dije se pjesa pranverore nuk do të nisë përderisa nuk do të shlyhen obligimet, derisa në kërkesën e dytë është kërkuar që pagesat të bëhen për çdo muaj në formë page. Kërkesa e tretë që mbetet e diskutueshme është rritja e taksës për ndeshjet e Superligës prej 80 në 100 euro.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)