Sport

Peja fiton derbin, Trepça nis këndelljen

Peja ka bërë një hap të rëndësishëm drejt pjesës së epërme të tabelës në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën në palestrën “Karagaçi”, Peja e ka mposhtur Golden Eagle Yllin me shifrat 92:73. Kjo ndeshje i takoi xhiros së 17-të të kampionatit të Kosovës në basketboll. Peja renditet e gjashta me 23 pikë. Ylli i Suharekës është në vend të katërt me 25 pikë.

Çereku i parë i ndeshjes në Pejë ishte thuajse i barabartë. Vendësit pas 10 minutave lojë kishin një pikë epërsi, 24:23. Por tre çerekët e tjerë Peja i fitoi, kurse më bindëse ishte në të fundit (22:14).

Arbër Berisha kishte statistikat më të mira me 18 pikë e 10 kërcime. Drilon Hajrizi realizoi 23 pikë, ndërsa pikë dyshifrore kishin edhe Henrik Shirko (15) e Nigel Johnson (13). Te Ylli u dallua Mike Thorne me 16 pikë e Jameel McKay me 20 pikë e shtatë kërcime.

Të dielën u luajt edhe ndeshja në mes të Feronikelit dhe Trepçës, skuadra këto të pjesës së poshtme të tabelës. Pas ndryshimeve të bëra në udhëheqje të klubit dhe kthimit të trajnerit Neven Plantak, Trepça ka gjetur fitoren, pas një kohe të gjatë. Madje fitorja e xehetarëve ishte bindëse, 84:61. Dy Hanes shkëlqeu te Trepça me 32 pikë, tetë kërcime e katër asistime. Nga 12 pikë i shënuan Besnik Azemi e Malik Irwin. Te Feronikeli i Drenasit u dallua Sami Hajzeri me 14 pikë.

Me gjithë fitoren, Trepça mbetet e parafundit me 18 pikë. Për Trepçën ishte vetëm fitorja e tretë këtë edicion. Ndërkohë Feronikeli renditet i shtati me 19 pikë.

Të shtunën Sigal Prishtina fitoi thellë “derbin” ndaj Bashkimit me shifrat 120:59. Rahoveci pësoi nga Ponte Prizreni me shifrat 92:88. Kështu, Prishtina është shkëputur në vend të parë me 27 pikë. Ka një pikë më shumë se Rahoveci e Bashkimi që janë në pozitat dy e tre.

Në Superligën e Kosovës në basketboll ka mbetur të zhvillohet edhe xhiroja e 18-të. Më 21 e 22 dhjetor, takohen: Rahoveci – Peja, Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina, Bashkimi – Feronikeli e Trepça – Lipjani.

Superliga në basketboll – XVII

Sigal Prishtina – Bashkimi 120:59

Ponte Prizreni – Rahoveci 92:88

Peja – Golden Eagle Ylli 92:73

Feronikeli – Trepça 61:84

Tabela: 

1. S. Prishtina 27 pikë

2. Rahoveci 26

3. Bashkimi 26

4. G.E. Ylli 25

5. P. Prizreni 25

6. Peja 23

7. Feronikeli 19

8. Trepça 18

9. Lipjani 15