Sport

Me Berishën, Westerni kërkon suksesin në A-League

Descriptive Text

Tek ekipi australian, Western United, janë të bindur se me sulmuesin Besart Berisha në përbërje mund ta ndjekin kreun e tabelës në edicionin debutues në A-League, përcjell “Sydney Morning Herald” të hënën.

Berisha i është bashkuar Westernit para fillimit të këtij edicioni dhe deri më tash ka shënuar katër gola në tetë ndeshje kampionale.

Westerni aktualisht zë vendin e katërt në tabelë me 13 pikë, shtatë më pak se lideri Sydney FC pas tetë xhirove të zhvilluara. “Besarti po përshtatet në ekip nga ndeshja në ndeshje, duke u treguar i rëndësishëm për ne. Ai është një fitues i vërtetë dhe mund të na ndihmojë që në edicionin e parë të përfundojmë lart në tabelë”, ka thënë trajneri i Westernit, Mark Rudan. “Ai ende nuk është në formën e tij më të mirë fizike, por po na ndihmon shumë falë përvojës që ka”.

Berisha para se t’i bashkohej Westernit ka qenë pjesë e ekipit nga Japonia, Sanfrecce Hiroshima, kurse në Australi ka fituar katër tituj kampioni, dy me Melbourne Victoryn dhe dy të tjerë me Brisbane Roarin.