Sport

Mourinho kthehet në “Old Trafford” me synimin për të ruajtur startin perfekt

Jose Mourinho synon të vazhdojë startin perfekt si kryetrajner i Tottenhamit, kur të mërkurën mbrëma do të kthehet për herë të parë në “Old Trafford”, që kur u shkarkua nga Manchester Unitedi në fund të vitit të kaluar. Mourinho beson se atij do t’i tregohet respekt në “Old Trafford” të mërkurën, kur do të luhet derbi i xhiros së 15-të të Premier Leagues.

Portugezi me Manchester Unitedin fitoi Ligën e Evropës dhe League Cup në dy stinorët e tij të parë në klub, por u shkarkua në mesin e stinorit të kaluar, ndërsa klubi i tij ishte në vend të gjashtë në Premier League, shkruan sot Koha Ditore.

Ai ka marrë drejtimin e Tottenhamit disa ditë më parë për të zëvendësuar argjentinasin Mauricio Pochettino, ndërsa ka arritur tri fitore rresht duke e ngritur skuadrën në vend të pestë.

Periudha e Mourinhos te Manchester Unitedi ishte me plot telashe, por ai prapë fitoi dy trofe dhe skuadra e tij kishte përfunduar nënkampione prapa Manchester Cityt në stinorin 2017-18. Ai thotë se vend i dytë ishte një nga arritjet më të mëdha të tij si trajner.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)