Sport

Futbollistët Kullaj e Loshi forcojnë Feronikelin

Futbollistët Kristian Kullaj dhe Simon Loshi do të jenë përforcimet e para të Feronikelit në afatin kalimtar të janarit.

Ekipi nga Drenasi, të martën, ka njoftuar se futbollistët kanë firmosur kontratë afatgjate dhe tashmë janë prezantuar te Feronikeli, transmeton Koha Ditore.

Ata do të regjistrohen në Federatë, pasi të hapet afati kalimtar në janar. Kullaj 20-vjeçar është mesfushor ofensiv dhe është aktivizuar te të rinjtë e ekipit nga Belgjika, Lokeren.

Ndërkohë, Loshi 19-vjeçar është mbrojtës i krahut dhe ka qenë pjesë e ekipeve të reja të Feyenoordit (U17, U18, U19).

“Kryetrajneri, Agim Sopi, është shprehur i kënaqur me arritjen e marrëveshjes për këta dy futbollistë. Kjo nuk do të jetë lëvizja e vetme gjatë janarit, pasi skuadra do të sjellë edhe risi të tjera”, thuhet në njoftimin e skuadrës kampione.