Javë përcaktuese në Superligë Foto: Koha / Ilustrim

Javë përcaktuese në Superligë

19 maj 2017 21:22

Java e 32-të e Vala Superligës mund të jetë përcaktuese sa i përket vendit të dytë në renditje dhe sidomos skuadrave që do të luajnë në barazh.

Vëmendja më e madhe do të jetë te derbi më i madh në futbollin e Kosovës, ndërmjet Gjilanit dhe Dritës, që do të zhvillohet të shtunën, raporton KTV.

Ky do të jetë derbi i 23-të ndërmjet këtyre skuadrave, ndeshje që mbledh më së shumti shikues në stadium, ku “Skifterët” e Gjilanit dhe “Intelektualët” e Dritës krijojnë atmosferë fantastike.

Gjilani, që e ka siguruar mbijetesën, do të takohet me Dritën, që kërkon t’i ikë barazhit.

Fitorja eventuale e Gjilanit do ta dërgonte Dritën në barazh edhe këtë vit.

Ndërkaq, fitorja e Dritës do të mbante gjallë shpresat që në xhiron e fundit të sigurojnë mbijetesën pa barazh.

Në dy ndeshjet e këtij edicioni, Gjilani ka fituar një ndeshje 1:0, kurse takimi i fundit është mbyllur 1:1.

Interesante dhe përcaktuese pritet të jetë dueli ndërmjet Prishtinës, që po kërkon të sigurojë vendin e dytë, dhe Trepçës ’89, e cila e ka siguruar titullin.

Dy takimet e këtij edicioni mes këtyre skuadrave i ka fituar Trepça ’89, me golat e Oto Johnit, i cili kishte shënuar dy gola në Obiliq dhe një në “Riza Lushta”.

Prishtina, me një fitore, do ta siguronte vendin e dytë, i cili mund ta dërgojë në Evropë, nëse Llapi humb në finale nga Besa.

Llapi, që kërkon vendin e dytë dhe shpreson në dështimin e Prishtinës në duel me 89-shin, do ta presë në “Zahir Pajaziti” Drenicën, skuadër që e ka mënjanuar në gjysmëfinale të Kupës.

Fitorja e Llapit do të ishte e vlefshme vetëm nëse barazon Prishtina ose humb, përndryshe, tri pikët do të vlenin vetëm për statistika.

Edhe Feronikeli shpreson në dështimin e Prishtinës, në mënyrë që të mbetet në garë për vendin e dytë dhe gjithçka të vendoset në xhiron e fundit, ani pse për drenicasit do të jetë shumë e vështirë të arrihet vendi i dytë.

“Nikli” do ta presë në “Rexhep Rexhepi” skuadrën e Lirisë, e cila do të kërkojë të befasojë, për të siguruar mbetjen në Superligë edhe për edicionin e ri.

Mbijetesën pa barazh e kërkon edhe Ferizaj, skuadër kjo që do të udhëtojë drejt Pejës, për t’u përballur me Besën.

Skuadra nga “Shahin Haxhiislami”, që e ka siguruar mbijetesën, mendjen e ka te finalja e Kupës me Llapin dhe pikët për pejanët nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë, për dallim për Ferizajn, ku pikët janë të vlefshme.

Kjo javë do të sjellë edhe përballjen ndërmjet dy ekipeve që kanë rënë nga Superliga dhe në sezonin tjetër do të luajnë në Ligën e Parë.

Hajvalia, në Kizhnicë, do ta presë Trepçën.

Të gjitha ndeshjet e javës së parafundit do të luhen të shtunën nga ora 17:00.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Të ngjashme