Gjilani – Drita në shifra Foto: Koha

Gjilani – Drita në shifra

19 maj 2017 20:57

Derbi më i madh vendor ndërmjet Gjilanit dhe Dritës zhvillohet të shtunën, që kësaj radhe vendos për fatin e Dritës dhe ikjen apo mbetjen në barazh.

Si gjithnjë, këto duele shquhen për rivalitet të madh dhe për atmosferën e jashtëzakonshme të dy tifozerive, Skifterët e Gjilanit dhe Intelektualët e Dritës, raporton KTV.

Derbi i Gjilanit, apo Anamoravës do të jetë derbi i 23-të ndërmjet këtyre ekipeve të Gjilanit.

Deri me tani, statistikat janë të barabarta, ku secila skuadër ka shënuar nga 8 fitore, ndërkaq 6 ndeshje kanë përfunduar me rezultat të barabartë.

Në historinë e gjatë të këtyre klubeve, vetëm një ndeshje është regjistruar me rezultat zyrtar.

Në vitin 2001, Gjilani kishte fituar në tavolinë, pasi Drita nuk kishte pranuar të luajë.

Në vitin 2011, ishte hera e parë që Drita dhe Gjilani, derbin e zhvilluan në Ligën e Parë, por edhe përkundër kësaj, stadiumi ishte i stërmbushur.

Në disa vite, derbi ndërmjet këtyre skuadrave nuk u zhvillua, për shkak se herë njëra e herë tjetra nuk garonin në Superligë.

Fitoren më të thellë në duelet e ekipeve nga Gjilani, e ka shënuar Drita në vitin 2003, ku kishte triumfuar 6:1.

Kurse Gjilani fitoren më të lartë e ka shënuar në vitin 2016, duke fituar 3:0.

Ndeshja që do të zhvillohet të shtunën nga ora 17:00, do të jetë dueli i tretë në këtë edicion të garave.

Gjilani ka një fitore minimale 1:0, ndërkaq një ndeshje është mbyllur me rezultat të barabartë 1:1, me Dritën që e kishte barazuar rezultatin në minutat e fundit.

Derbi numër 23 do të jetë i veçantë për të dyja tifozëritë, “Intelektualët” e Dritës dhe “Skifterët” e Gjilanit, pasi dy legjenda të këtyre klubeve do të pensionohen nga futbolli.

Bëhet fjalë për kapitenin e Gjilanit, Alban Hysenin dhe kapitenin e Dritës për disa vite, portierin Artan Latifi.

Gjilani – Drita do të gjykohet për herë të tretë radhazi nga gjyqtari i FIFA-s, Genc Nuza.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Të ngjashme