Sport

Një sport atraktiv në Kosovë

Për herë të parë në Kosovë, është mbajtur një turne i madh i pikados, sportit atraktiv e rekreativ, që po zhvillohet me hov të madh edhe në Kosovë.

Në ambientet e barit të veçantë sportiv “American Sports Bar”, të enjten u mbajt turneu i madh i Pikados “Birra Peja Turneu i Pikados 2017”, që mblodhi një numër të madh entuziastësh të këtij sporti.

Turneu i Pikados u zhvillua në dy kategori, rekreativ dhe profesionistë, duke mbledhur për më shumë se 6 orë, një numër të madh të interesuarish.

Image

Organizatori kishte paraparë që krahas garës rivalizuese te profesionistët, Pikado të promovohet edhe nga personalitet të jetës publike në vend.

Për këtë arsye ishin ftuar disa nga artistët e serialit në KTV, “O sa mirë”, këngëtarë të estradës, gazetarë dhe sensacioni i rrjeteve sociale, Shpëtim Hajdini.

Një garë interesante u zhvillua në këtë kategori, me Ernest Zymberin fitues në fund.

Ndërkohë zhvillohej edhe gara e profesionistëve, me pjesëmarrës që në të kaluarën kishin garuar edhe ndërkombëtarisht.

Njëri nga ta, ishte edhe Tasim Bislimi, i cili kishte fituar turne të ndryshëm edhe në Itali, ndërsa të enjten në turneun “Birra Peja”, ai e bëri diferencën, duke mposhtur një nga një kundërshtarët.

Tasim Bislimi është fituesi i parë i garës së Pikados dhe çmimit kryesor.

Organizatori i turneut por edhe entuziastët e Pikados, synojnë themelimin e federatës, e më pas edhe garimin në arenën ndërkombëtare.