Sport

Rooney në periudhën më të vështirë të karrierës

Jose Mourinho ka pranuar se Wayne Rooney ka nisur periudhën më të vështirë të karrierës derisa po vazhdon të mendoj rreth të ardhmes së tij në Manchester United.

31-vjeçari nuk është në formacionin bazë dhe këtë sezon ka luajtur vetëm 14 ndeshje në Premier Ligë. Ofertat e majme nga Lindja e Largët mund ta bindin anglezin që t’i jap fund karrierës së tij 13-vjeçare me Unitedin.

Mourinho e di situatën me të cilën përballet Rooney, pasi më parë ka punuar me legjendat e Chelseat, Frank Lampard dhe Didiger Drogba. Portugezi ka thënë se nuk është e lehtë përballja me këto situata.

“Është e vështirë sepse gjatë karrierës sime jam përballur me këso situata të lojtarëve – lojtarë me shumë histori – në pjesën e fundit të karrierës së tyre”, ka thënë Mourinho për Omnisport.

“Kisha lojtarë në këtë fazë të karrierës – lojtarë me histori të madhe në klub. Kjo më ndodhi tek Interi, Real Madridi dhe Chelsea. Frank Lampard dhe Didier Drogba. Kur erdha për herë të parë ishin në kulmin e karrierës. Kur erdha së dyti, ishin në fundin e karrierës. Është e vështirë për ta”.