Sport

Radoviq është kthyer në Kosovë për të bërë sërish histori

Pas më shumë se një viti, trajneri nga Mali i Zi, Dragan Radoviq, vendosi të kthehet në basketbollin e Kosovës. Por ndryshe prej dy herëve të tjera kur erdhi për të udhëhequr ekipin e Bashkimit (meshkujt), këtë edicion ai është në krye të ekipit tjetër nga Superliga, Golden Eagle Ylli. Megjithatë, synimi është i njëjtë – të fitojë trofe siç bëri me Bashkimin.

Muajin e shkuar, Radoviq mori përsipër të jetë trajner i ekipit nga Suhareka pas largimit të Arben Krasniqit. Malaziasi 42-vjeçar, thotë se nuk hezitoi për të pranuar ofertën e drejtuesve të Yllit kur pa projektin ambicioz për këtë edicion.

Radoviq thotë se është trajner që ndjek trofetë.

“Në momentin kur më kontaktuan nga Ylli isha pa klub dhe pranova të kthehem për herë të tretë në Kosovë. Nuk u mendova fare, pasi prej basketbollit të Kosovës kam vetëm kujtime të mira. Natyrisht, në vendimin tim ndikoi edhe kryesia ambicioze e Yllit që synon rezultate më të mira sesa në edicionet e shkuara”, ka thënë Radoviq në një bisedë për gazetën. “Por, gjithashtu, edhe për shkak të publikut, pasi Ylli gjithmonë ka pasur ndihmën e tyre”.

Radoviq nuk fsheh se synim i tij dhe skuadrës janë trofetë, pavarësisht se këtë edicion ka më shumë skuadra cilësore dhe me synime të mëdha. Sipas tij, konkurrenca është e fortë në Superligë, duke pasur parasysh se deri më tash, secili ekip po është në gjendje të mposhtë tjetrin. Radoviq po punon për të komponuar ekipin që, sipas tij, të jetë në formën optimale për garat e plejofit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore)