Sport

Gryka e Lumëbardhit në Prizren bëhet me Via Ferrata

Autoritetet komunale të Prizrenit në prani të komunitetit të bjeshkatarëve dhe donatorëve ndërkombëtarë, të hënën kanë përuruar shtegun e hekurt (Via Ferrata) "Panorama" në Grykën e Lumëbardhit të Prizrenit, në largësi rreth 5 kilometra nga qendra e qytetit.

Palët që kanë bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti kanë pohuar se i njëjti do të ketë ndikim në rritjen e ofertës turistike të Prizrenit, masovizimin e alpinizmit dhe eventualisht në rritjen e punësimit. Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, Via Ferrata "Panorama" është produkti më i ri turistik i Prizrenit, i cili është realizuar në bashkëpunim mes Komunës së Prizrenit, PPSE Swisscontact dhe shoqatës së bjeshkatarëve “Sharri” përmes projektit "Promovimi i punësimit në sektorin privat", ndërkohë që në realizimin e projektit është angazhuar gjithashtu edhe organizata nga Peja, “Merimangat”, raporton Koha Ditore.

“Sot Prizrenit i është shtuar edhe një atraksion i ri që do të ndikojë në zhvillimin e turizmit malor. Shtegu Via Ferrata, me gjatësi prej rreth gjysmë kilometri, jo rastësisht është quajtur me emrin "Panorama", pasi që nga lart është vërtet një panoramë madhështore e Grykës së Lumëbardhit”, ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka. Ai ka theksuar se ky është vetëm një prej projekteve në vijim që po jetësohet me qëllim të rritjes së ofertës turistike të qytetit, e sidomos të turizmit malor. “Falënderoj PPSE Program Swisscontact, SHB ‘Sharri’ dhe të gjithë bjeshkatarët, të cilët kontribuuan në mënyra të ndryshme për realizimin e këtij projekti, duke e bërë Prizrenin qytetin e dytë në Kosovë pas Pejës, që ka një shteg të tillë për ngjitje malore”, është shprehur Haskuka. Ndërsa drejtoresha e Turizmit, Sevil Kazaz, ka njoftuar se vlera e projektit ka qenë 44 mijë euro, ku krahas Komunës kanë kontribuuar edhe bjeshkatarët nga ShB “Sharri” dhe PPSE Swisscontact. Sipas njoftimit të Komunës, ky shteg është ndërtuar në gjatësi prej mbi 500 metrave dhe gjendet në Grykën e Lumëbardhit, përkatësisht në kilometrin e pestë të rrugës Prizren-Reçanë. “Shtegu Via Ferrata do të menaxhohet dhe mirëmbahet nga shoqata e bjeshkatarëve ShB ‘Sharri’”, ka njoftuar Komuna e Prizrenit. Ndërkaq drejtoresha e Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC, Katharina Stocker, ka theksuar se qëllimi i kësaj zyre është përkrahja e zhvillimit në Komunën e Prizrenit duke bashkëpunuar me autoritetet lokale.

“Në këtë rast arritja e qëllimit tonë për të zhvilluar punësimin në këtë rajon ka qenë përmes turizmit. Dhe kjo i shton vlerë turizmit dhe e mundëson punësimin”, ka thënë ajo.

E kryetari i ShB “Sharri”, Sadik Shporta, ka theksuar se krijimi i Via Ferratas në Grykën e Lumëbardhit ka qenë ide e kamotshme dhe se tanimë është realizuar. Ai ka pohuar se ngjitja do të bëhet me pajisje dhe me përcjelljen e anëtarëve të shoqatës.

“Po pres që ka me përfitu Prizreni”, ka thënë Shporta, duke shprehur bindjen se ky projekt do të ndikojë në masovizimin e këtij aktiviteti, sidomos tek të rinjtë.