Sport

Mediat britanike shkruajnë për “mikpritjen e jashtëzakonshme të kombëtares angleze në Kosovë”

Descriptive Text

The Sun dhe The Dailymail, media britanike, kanë lavdëruar mikpritjen që po i bëhet në Kosovë kombëtares angleze "Tre Luanët". 

The Sun shkruan për billbordet që janë vënë në shumë vende të kryeqytetit të Kosovës me mesazhin “Mirësevini dhe Respekt”. Siç shkruan ky medium, në mesin e tyre është edhe një e Raheem Sterlingut ku shkruhet mesazhi “Mirësevjen vëlla”.

“Ky vend i vogël ballkanik planifikon të shfaqë edhe imazhe me simbolin e lulëkuqes në stadium, të dielën kur të zhvillohet loja”, thuhet ndër tjerash, transmeton Koha.net.

Mbi të gjitha, shkruan The Sun, skuadra e Kosovës e ka lejuar Anglinë të qëndrojë në hotelin e tyre të preferuar dhe vetë janë transferuar në një hotel tjetër.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Anglisë ka thënë se “ne jemi mirënjohës për gjithçka që keni bërë për vendin tonë. Ne duam ta shfrytëzojmë këtë ndeshje për t’i thënë faleminderit Anglisë dhe Britanisë”.

Dailymail, shkruan edhe për stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe Përfaqësuesen e Kosovës.

“Mrekullia e ngritjes së Kosovës – Vendi i ri që pret Anglinë të dielën”, shkruan Daily Mail.

Kosova, nuk arriti të kualifikohet në Euro 2020, pas humbjes që pësoi me çekët 2:1.

“Në stadiumin kombëtar Fadil Vokrri me kapacitet 13,000 ulëse, i quajtur kështu pas vdekjes së lojtarit më të madh të të gjitha kohërave, Fadil Vokrri, do të luhet të dielën loja mes Anglisë e Kosovës”, shkruan tutje ky medium britanik.

Edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë, dje përmes një postimi në facebook, ka publikuar billbordet me mirëseardhje për kombëtaren angleze.

“Thirrje për të gjithë fansat e Anglisë të cilët udhëtojnë në Prishtinë për ndeshjen e së dielës Kosovë-Angli. Një mikpritje e ngrohtë iu pret në Kosovë, vend i famshëm për mikpritje dhe njerëz miqësor. Bëni qejf, bëni miq dhe shijojeni ushqimin e shkëlqyeshëm dhe natyrisht futbollin”, thuhej në njoftimin e Ambasadës.

Image