Sport

Zidane: Jam i lumtur me performancën e Benzemas

Trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane ka thënë se është i lumtur me performancën e sulmuesit Karim Benzema, në fitoren e thellë ndaj Leganes.

Dje Reali ‘shkatërroi’ Leganes me rezultat 5-0 në kuadër të La Ligas, transmeton kp.

Tekniku francez ka thënë se performanca e francezit ka qenë e mrekullueshme.

“Karim si gjithmonë nuk ndryshon shumë. Është e rëndësishme të shënojë gola, sepse është qendërsulmues. Kontribuon më shumë se golat dhe bën shumë për bashkëlojtarët. Jam i lumtur me performancën e tij”, u shpreh ai.

Zidane foli edhe për ndeshjen duke thënë se pasi shënuan dy gola ishte më e lehtë.

“Shënuam dy gola në 10 minuta, gjë që shkaktoi që ndeshja të ishte më e lehtë. Në çdo ndeshje ka raste kur ‘vuan’ dhe ne ‘vuajtëm’ për një kohë. Jam i lumtur, sepse në fund shënuam pesë herë dhe nuk pranuam ndonjë”, vazhdoi Zidane.

Në fund tekniku francez foli edhe për dy sulmuesit Rodrygo dhe Jovic, të cilët arritën të shënojnë nga një gol.

“E vërteta është se jam i lumtur për të dytë. Rodrygo ka një personalitet dhe është duke u përmirësuar në skuadër. Ndërsa Jovic është i lumtur, pasi kishte nevojë për këtë gol dhe nuk po luan shumë. Është e rëndësishme të ketë efekt në skuadrën në momentin kur po e zëvendëson Benzeman”, përfundoi tekniku francez.

“Los Blancos” për momentin janë në vendin e dytë në tabelë me 21 pikë, një më pak se rivali Barcelona.