Sport

Krerët e Arsenalit do të mblidhen për të diskutuar për sjelljet e Xhakës

Descriptive Text

Krerët e Arsenalit do të takohen me kapitenin Granit Xhaka në ditët e ardhshme për të diskutuar për reagimin e ashpër teksa zëvendësohej në ndeshjen e së dielës me Crystal Palacen.

Xhaka pritet të kthehet në ushtrime të martën para ndeshjes së Arsenalit në Carabao Cup në rrethin e katërt ndaj Liverpoolit. Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën.

Federata Angleze s’do të marrë asnjë masë ndaj Xhakës që shau dhe bënte me gjesta ndaj fansave të Arsenalit që po fishkëllenin.

Xhaka, që ka shkaktuar më së shumti ndërhyrje në Premier Ligë këtë edicion (22), është zëvendësuar në tri nga nëntë ndeshjet e Premier Ligës kur është paraqitur këtë sezon, raporton "Sky Sports".

Nuk dihet akoma nëse Arsenali do të konsiderojë heqjen e shiritit të kapitenit nga Xhaka.

I pyetur pas ndeshjes së dielën, të cilën Arsenali e barazoi 2 me 2 me Crystalin, trajneri Unai Emery tha se “s’është koha të flitet për shiritin e kapitenit tani”.