Sport

Prishtina e gatshme për gjigantin rus, transmetohet në KTV

Basketbollistet e Mabetex Prishtinës janë të bindura se do të kenë paraqitje dukshëm më të mirë në ndeshjen e dytë të EuroCup sesa në debutim, kur pësuan në udhëtim nga MBA Moska me rezultatin 90:58. Edhe në xhiron e dytë, Prishtina do të ketë përballë një kundërshtar nga Rusia, Sparta&k M.R. Vidnoje që gjithashtu në xhiron e parë shënoi fitore, ndaj Beshiktashit.

Ndeshja ndërmjet kampiones së Kosovës dhe ekipit rus zhvillohet të enjten (sot, 20:00) në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe i takon Grupit B, shkruan sot Koha Ditore.

Për Prishtinën, kjo është hera e parë që po paraqitet në këtë garë, që është niveli i dytë evropian te femrat pas Euroligës. Pos paraqitjes së mirë, te Prishtina presin edhe përkrahje në ndeshjen e parë në shtëpi në kuadër të kësaj gare.

"E kemi parasysh se përballë kemi një kundërshtar të fortë dhe me histori në Evropë, por ne jemi maksimalisht të motivuara për këtë ndeshje. Luajmë në shtëpi dhe besoj se do të kemi paraqitje dukshëm më të mirë sesa në ndeshjen e parë ku u kapluam më shumë nga emocionet", ka thënë basketbollistja Era Shatri. "Pres një paraqitje dinjitoze dhe gjithashtu kërkoj të kemi përkrahje të madhe në tribuna, pasi na nevojitet mbështetja në një ndeshje të tillë. Nëse luajmë mirë dhe si ekip, atëherë pse mos të kërkojmë edhe më shumë nga kjo ndeshje".

Skuadra ruse ka traditë në basketbollin evropian. është e themeluar në vitin 1949, por sukseset më të mëdha i ka regjistruar në 15 vjetët e fundit. Në vitin 2006, Spartaku triumfoi pikërisht në EuroCup Women, kurse prej vitit 2007 deri në vitin 2010 e fitoi katër herë rresht titullin në Euroligë. Ka edhe dy Superkupa të FIBA-s (2009, 2010) dhe dy tituj kampioni të Rusisë, që i fitoi në vitet 2007 e 2008.

"Jam e bindur se do të kemi paraqitje shumë më të mirë se në ndeshjen e parë. Pavarësisht rezultatit, synimi ynë është që të garojmë dhe të dëshmojmë se mund të luajmë në këtë nivel, duke shkruar historinë në basketbollin e femrave në Kosovë", shtoi plejmejkerja e Prishtinës, Danisha Shaw.

Në këtë ndeshje te Prishtina pritet të debutojë përforcimi më i ri, reprezantuesja e Kamerunit, Marie Mfoula.

Ndeshja ndërmjet Mabetex Prishtinës dhe ekipit rus Sparta&k M.R. Vidnoje do të transmetohet direkt në KTV, duke nisur nga ora 20:00. KTV-ja ka të drejtën e transmetimit të ndeshjeve që Mabetex Prishtina i luan këtë edicion në kuadër të EuroCup Women.