Sport

Xhaka i quan marrëzira komentet e Evras i cili i quajti lojtarët e Arsenalit “bebet e mija”

Kapiteni i Arsenalit, Granit Xhaka ka deklaruar se ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Patrice Evra ka bërë një vlerësim të ulët për ‘Topçinjët’.

Xhaka ka thënë se të thuash ‘Arsenali janë mentalisht të dobët’, ashtu sikurse ka thënë Patric Evra, i cili i ka quajtur ata si ‘bebe’, janë 'marrëzira'.

Kapiteni i Arsenalit ka folur për këtë, pas humbjes 1 me 0 nga Sheffield United, transmeton Koha.net.

Në 17 ndeshjet e fundit, ‘Gunners’ kanë fituar vetëm katër prej tyre, duke e bërë që të vihet në dyshim nëse ata do të arrijnë të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Evra ka bërë një mori komentesh rreth skuadrës së Unai Emeryt, duke thënë: “Unë i thërrisja ata bebet e mija, para 10 vjetëve, e ata ende ashtu janë kur i shoh sot. Kjo është e vërteta, unë nuk jam duke i mos respektuar ata kur e them këtë”.

“Kjo është thjesht ndjesia që e kam për këtë ekip. Ata duket të bukur, por nuk duken si një ekip fitues, atyre thjesht ju pëlqen të luajnë futboll të mirë”, ka deklaruar më tej ai.

Xhaka u është përgjigjur menjëherë këtyre kritikave.

“Unë kam shumë respekt për të sepse ai ishte një lojtar i shkëlqyer, por duhet të jesh i kujdesshëm për ato që thua. Ai e di këtë situatë po ashtu, por nuk është vetëm ai. Shumë njerëz flasin një mori marrëzirash dhe është gjithnjë e njëjta gjë. Ne duhet të ndalojmë së foluri rreth ‘anës mentale të lojës’ dhe marrëzira si kjo. Më vjen keq që po e them, por për mua është e njëjta gjë, pavarësisht a luan në shtëpi apo jashtë, ne duhet të fitojmë dhe të tregojmë karakter të fortë dhe të mos kemi të njëjtin justifikim”, ka deklaruar mesfushori shqiptar.

Xhaka ka thënë se Evra është duke u përballur me humbje të kredibilitetit si ekspert.

“Për mua është e çuditshme sepse ata kanë qenë në të njëjtën situatë sikurse ne, ndonjëherë mirë e ndonjëherë jo aq mirë, por ashtu sikurse thash, nëse ju flisni marrëzira të tilla për çdo vikend, atëherë ajo se çfarë thonë nuk meriton më respekt”, ka thënë 27 vjeçari.

Arsenali është i pesti në Premierë Ligë, dy pikë pas vendit të katërt Chelseat e 10 pikë pas vendit të parë, Liverpoolit.