Sport

Korzeniowski, ikona që e bëri të njohur ecjen atletike

Descriptive Text

Ecja atletike nuk është disiplina më atraktive olimpike, por ata që e njohin këtë, si kampioni i katërfishtë olimpik Robert Korzeniowski, është një sport i mbretërve.

Idhulli polak rrëfen se çfarë do të thotë të jesh një "ecës" dhe shpjegon se si është bërë një nga më të suksesshmit të të gjitha kohërave, shkruan Olympic.org.

Robert Korzeniowski e di se është e vështirë të bindë se gara e ecjes atletike është disiplinë e pasur dhe dinamike që ia vlen të shikohet. Por, kur e dëgjon atë duke folur, brenda pak minutave mund të bindesh që të dalësh vetë për një ecje 20-kilometërshe, përcjell Koha Ditore.

"Për mua ecja atletike është disiplinë fisnike. Në storiet e vjetra kurrë nuk dëgjon për një mbret që vrapon, mbreti është duke ecur, në mënyrë shumë fisnike", thotë Korzeniowski duke qeshur. "Kjo është shaka, por sinqerisht, për mua, ishte ajo joshja që të bëja diçka ndryshe nga të gjithë. Vrapimi kros dhe i distancave të gjata ishte shumë i popullarizuar kur isha i ri, por ecja atletike ishte dukshëm larg. Është aq bizare, por disiplinë e veçantë. Nuk je një nga shumë vrapuesit, je një ecës".

Njeriu që dominoi disiplinën si asnjë tjetër më herët apo asnjë që nga atëherë, nuk ishte një ecës i lindur. Në fakt, ai ra në dashuri me artet marciale.

Ai vendosi të provonte ecjen atletike, vetëm pasi që palestra ku po stërviste xhudo u mbyll. Kur e njohu ecjen atletike, ai e kuptoi se ka çdo gjë të cilën po kërkonte.

"Ajo që vërtet zbulova në fazat e hershme ishte se shumica e garave të ecjes po mbaheshin në qendra të qyteteve, afër njerëzve. Kjo ishte ndryshe nga disiplinat e tjera të atletikës, që mbaheshin në stadiume. Kur isha i ri, ato mbaheshin në stadiume të zbrazura. Në ecje atletike, ne ishim gjithmonë në mes të çdo gjëje. Garat lidheshin me festa nëpër fshatra apo ngjarje të tjera të popullarizuara", rrëfen polaku, që tash është 51-vjeçar.

Korzeniowski kishte një talent të natyrshëm. Në garën e tij të parë të plotë, ai u kualifikua për kampionatin e Polonisë dhe ishte vetëm 15-vjeçar.

Tinejxheri përfundoi i fundit në kampionat, por u kthye në vitin vijues dhe fitoi titullin....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)