Sport

Betejat e vajzave në lojën e shahut

I lënë të gjitha angazhimet dhe në fundjavë bashkohen për të luajtur shah. Këto vajza, takohen për t’i zhvilluar njohuritë e tyre në atë që njihet si sport i mendjes.

Loja strategjike me tabelë, e krijuar për dy lojtarë, për vajzat është motivuese të zhvillojnë dëshirat dhe personalitetin e tyre.

Qetësia mbretëron teksa lëvizin figurat, ndërkohë që marrin instruksione nga një zonjë, e cila shquhet në lojën e gjashtëdhjetë e katër kutive.

Është Shehrije Gërbeshi, ajo që para tre vjetësh e mori iniciativën që t’i nxisë gratë dhe vajzat të argëtohen me lojën e shahut, raporton “Express” i KTV-së.

Në vitin 2017, ajo formoi klubin e parë të femrave në shah, të cilin e titulloi “Malësorja e Kosovës”.

Gërbeshi shpalos detaje për organizimin e klubit që u bë referencë edhe për disa gra të qyteteve tjera të Kosovës.

Instruksionet për të luajtur në lojën e shahut vajzat e klubit “Malësorja e Kosovës”, i mësojnë në njërën nga kabinat e vendosura në hapësirën e Ministrisë së Drejtësisë, afër ish-Pallatit të mediave.

Për entuziazmin që të merren me shah, flasin edhe të rejat e këtij klubi, të cilat synojnë të lënë gjurmë me triumfet në lojën e betejave.

Klubi “Malësorja e Kosovës” merr pjesë në garat e superligës, e themeluar para një viti, ndërkohë anëtarët e klubit vazhdojnë të shënojnë suksese në disa turne që organizohen brenda vendit.