Sport

Në Brazil, sumo duket se do të shpërthejë

Descriptive Text

Çdo dy javë Rui Junior udhëton tetë orë nga qyteti i tij i lindjes Londrina në Sao Paulo, për një seancë stërvitore në sumo, sport që po përpiqet të dalë në skenë në një vend të dhënë pas futbollit si Brazili.

Edhe pse vendi i Amerikës së Jugut është shtëpia e komunitetit më të madh japonez jashtë Japonisë, forma e lashtë e mundjes (Sumo) është ende një sport i ri në Brazil dhe stërvitjet nuk janë gjithmonë aq të lehta, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.

"Unë për vite me radhë udhëtoj në Sao Paulo vetëm që të stërvitem në sumo", shprehet Junior 25-vjeçar, i cili peshon 160 kilogramë. "Mua me duhen tetë orë për të udhëtuar në stërvitje dhe tetë orë tjera për t'u kthyer në shtëpi. Më kushton pak para, por ia vlen. Ky sport po me bën me të vërtetë shumë të lumtur".

Junior është kampion i dhjetëfishtë i Brazilit në peshën e rëndë kurse, ka edhe tre tituj të kampionit në Amerikën e Jugut.

Ai është atraksioni kryesor në seancat stërvitore javore që mbahen në palestrën "Mie Nishi" në Sao Paulo, që pretendohet se është ringu i vetëm publik jashtë Japonisë vetëm për sumo. Brenda palestrës, rreth dhjetë meshkuj dhe po aq femra stërviten në pesha të ndryshme, por asnjëri prej tyre nuk ka origjinë aziatike. Ata stërviten së bashku, pa dallim peshe dhe gjinie.

Megjithatë, këta garues llogariten amatorë dhe janë shumë larg për të arritur nivelin e garuesve të Japonisë në sumo. Këtë e kanë parasysh të gjithë që stërviten në Sao Paulo, por vullneti i tyre është i madh për të arritur sukses. Junior dallohet prej të gjithë shokëve të palestrës, të cilët kryesisht kanë peshë më të ulët sesa ai.

Pa një partner te sparingut në qytetin e tij Londrina, Junior ka filluar të luajë futboll amerikan vetëm për të mbajtur formën për sumo. Thotë se gjatë kohës sa nuk stërvit sumo, është shumë aktiv në futbollin amerikan...(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)